Baba i dy fëmijëve dhe i respektuar nga të gjithë, ky është shqiptari që humbi jetën në punë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 18.04.2024, 10:27

Abdulla Bisku, është 58-vjeçari shqiptar, që më 16 prill humbi jetën në kantierin ku po punonte në via Nazario Sauro, Itali.

Ndërsa Shqipëria ishte në kaos, ai ishte një nga shqiptarët e parë që mbërriti në zonën e Mantovës, në vitin 1991, duke u larguar me një varkë të ngarkuar me njerëz dhe shpresa. Pas zbarkimit në Brindisi dhe muajt e parë në Piacenza, ai zgjodhi Asolën ku jetoi për 33 vitet e ardhshme, duke u bërë një anëtar i vlerësuar i komunitetit dhe një pikë referimi për qindra shqiptarë që jetojnë sot në qytet.

Por vdekja e tij ka tronditur të gjithë komunitetin shqiptar të Asolës pasi shkelje të ndryshme sigurie u gjetën në kantierin e ndërtimit ku ai punonte.

Në shtëpinë në via Pieve Cadelora, të cilën Bisku kishte arritur ta blinte dhe që vetëm një vit e gjysmë më parë e mbaroi rinovimin me duart e tij, tani ka vetëm vizita të miqve, të njohurve dhe familjarëve që janë pranë gruas së tij Zambake dhe fëmijëve të tyre Aldi, student universiteti dhe Adelina, punonjëse e një kompanie në atë zonë.

Pasi u largua nga Kavaja, Abdulla Bisku ishte një nga pionierët e komunitetit shqiptar të Asolës dhe zonës Alto Mantovano. Pasi u vendos dhe gjeti një punë si murator, me kalimin e kohës kishte thirrur të vëllanë, gruan që do të bëhej gruaja e tij dhe bashkatdhetarët e tjerë për t'i bashkuar, duke i ndihmuar të gjenin shtëpi, të punonin dhe të integroheshin. Historia e emigrimit të tij, të cilën Bisku u tregonte shpesh fëmijëve të tij, ishte një frymëzim:

“Ai erdhi për një të ardhme më të mirë. Ai e dinte se nuk do të kthehej më, por donte të ndihmonte familjen”.

Në Shqipëri, Biskun e shihnin si një “babagjysh” pasi çdo verë shkonte i ngarkuar me rroba dhe gjëra të dobishme për bashkëfshatarët e tij. Por ai u përshtat në mënyrë perfekte edhe në Asola, ku shumë e kujtojnë me fjalët më të mira. Ai kishte një pasion të madh edhe për Juventusin dhe nuk humbte asnjë ndeshje të tyre. Falë shumë përpjekjeve ai kishte arritur të blinte shtëpinë në Asola dhe një shtëpi tjetër në vendlindjen e tij.

Kur humbi jetën Bisku po punonte për rinovimin e një shtëpie në via Nazario Sauro 21. Ndërsa prishte një tarracë të vogël në oborrin e brendshëm, ai ra nga 3 metra lartësi duke goditur kokën. Në atë moment burri ka qenë i vetëm, nuk ka patur veshjet e duhura për punën dhe nuk ka pasur dëshmitarë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit