Dy të arrestuar pas aksidentit me 8 viktima, 3 prej emigrantëve nga Pakistani

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 03.04.2024, 11:52

Dy persona janë arrestuar pas aksidentit me 8 viktima që ndodhi mëngjesin e djeshëm në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet.

Agustin Gjeta 26-vjeç nga qyteti i Shkodrës dhe Ramazan Dekovi 23-vjeç, po nga Shkodra, janë arrestuar pasi akuzohen për veprën penale ‘ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve’.

Ka dyshime se këta dy të rinj, bashkë me 24-vjeçarin Edison Bregaj që humbi jetën në aksident, janë pjesë e një grupi të trafikut të klandestinëve drejt Malit të Zi.

24-vjeçari i aksidentuar ditën e djeshme sapo kishte marrë 7 emigrantët në pikën e kalimit kufitar Tre Urat kur u ndesh me policinë. Por në tentativë për t'iu shmangur kontrollit dhe me shpejtësi tej normave të lejuara, ai është aksidentuar dhe ka humbur jetën bashkë me emigrantët që po transportonte.

Tre prej emigrantëve ishin nga Pakistani dhe kjo është zbuluar falë dokumenteve të identifikimit që ata mbanin me vete. Ndërkohë për identifikimin e emigrantëve të tjerë do iu merren gjurmët e gishtave dhe ADN-ja, ndërsa është kërkuar edhe ndihma e INTERPOL.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit