Në 2023, rënia në sektorin e bujqësisë më e forta që nga 1997-ta

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 03.04.2024, 10:03

Gjatë vitit 2023, sektori i prodhimit dhe ai i bujqësisë, pësuan rënien më të madhe në ekonomi.

Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, sektori i bujqësisë shënoi rënie me 0.68% në vitin 2023, më e forta e sektorit që nga viti 1997. Tendenca e rënies në këtë sektor ka nisur që në vitin 2013, në 10 vitet e fundit ka patur një rritje mesatarisht 1% ndërsa sërish tre vitet e fundit është rikthyer rënia.

Nga viti 2000 deri në 2010, sektori bujqësor është rritur mesatarisht 3.7% në vit. Ndërkohë që sektori i blegtorisë ka pësuar rënie edhe më të madhe për shkak të mbylljes së fermave të vogla dhe ngastrave për vetëkonsum. Pakësimi i popullsisë në fshat nga emigracioni i brendshëm dhe i jashtëm por edhe mungesa e subvencioneve shtetërore kanë përkeqësuar edhe më shumë klimën në këtë sektor.

Në vitin 2022 numri i krerëve në blegtori shënoi rënie vjetore me rreth 13%, ndërsa gjatë dekadës krerët u përgjysmuan. Për prodhuesit dhe blegtorët kostot në zinxhirin e blegtorisë dhe bujqësisë janë të larta, pasi shteti nuk e subvencionon sektorin.

Vitin e kaluar, në Shqipëri, blegtorët që kishin mbi 10 krerë lopë morën nga 98 euro për kokë me dy këste. Ndërsa në Serbi, pas grevës së blegtorëve, vitin e kaluar, subvencioni për një lopë qumështi është 365 euro dhe për çdo litër, blegtori merr mbrapsht 0.16 cent. Por kjo diferencë e madhe në çmime dhe mungesa e mbështetjes nga shteti, po i çon fabriktat drejt importit të qumështit nga jashtë dhe kjo shton edhe më tepër presionin për blegtorët që tashmë vuajnë nga kostot e larta të lëndës së parë.

Bujqësia kontribuon me mbi 18% të rritjes ekonomike në vend dhe është sektori më i madh në vend, por dy vitet e fundit deficitet në prodhim po rrisin edhe më tepër importin, teksa eksportet kanë mbetur në vendnumëro. Për momentin, rreth 70% e produkteve bujqësore në tezga dhe supermarkete vijnë nga importi, duke konkurruar në çmime edhe ato pak fermerë vendas që tentojnë të prodhojnë për treg.

Por situata në këtë sektor pritet të përkeqësohet edhe më tej këtë vit, pasi mungon financimi nga buxheti i shtetit dhe mbështetja e BE nga fondet IPARD mbetet e bllokuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit