Si u bë drejtori i Veliajt një super investitor me 8 biznese private?!

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 03.04.2024, 12:28

Bëmat e drejtorëve të Erion Veliajt, të kryera në bashkëpunim me të, po zbulohen dita-ditës.

I radhës në listë është Elvin Tivari, një ish-drejtor i departamentit të shitjeve në Ujësjellës Kanalizimeve në Tiranë që dikur punonte për një pagë 700 mijë lekë të vjetra në muaj, por që shumë shpejt u kthye në sipërmarës që menaxhon investime në miliona euro.

E kur themi sipërmarrës e kemi për 8 subjekte private në ndërtim, hoteleri, restorante dhe zyra konsulence që janë të regjistruara në QKB në emër të tij.

Një prej këtyre bizneseve është edhe kompania e tregtimit të kafesë, “Gourmet&Co” në Xhafzotaj të Durrësit, ku Tivari është pronar dhe zotëron 33 për qind të aksioneve të këtij biznesi. Gjatë kohës që ai ka qenë drejtor në UKT, biznesi i tij ka fituar tre tendera nga bashkia ku punonte, pra ajo e Tiranës.

Por çudia nuk mbaron me kaq pasi kompania e tij i ka shitur ujë bashkisë Tiranë, pra një drejtor shitjesh në UKT i ka shitur ujë bashkisë.

E sikur të mos mjaftonin këto, ai i ka shtrirë bizneset e tij edhe në ndërtim e hoteleri. Në 7 shkurt 2022, ish-drejtori i Veliajt, Elvin Tivari, ka themeluar kompaninë “LA Brisa”, një kompani kjo që menaxhon një prej hoteleve luksoze në bregdetin e Dhërmiut.

Por kjo kompani e ky hotel edhe pse kanë pritur pushues që në 2021/2022, mes tyre edhe kryeministri Edi Rama, nuk ka patur leje ndërtimi. Hoteli i Tivarit është pajisur me leje ndërtimi në gusht 2023, pra pas më shumë se një viti që ka nisur punën.

Këto janë vetëm disa nga bëmat e drejtorëve, që duke përfituar nga paratë e fondeve publike janë pasuruar vetë, por me mbështetjen e kryetarit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit