Mbyllen për dy ditë 3 pika doganore me Greqinë, si do bëhet lëvizja?

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 31.03.2024, 16:52

Pikat doganore në Kakavijë, Tre Urat, Përmet, dhe Qafë Botë, Sarandë, do të jenë të mbyllura për 48 orë, nga data 2 prill ora 05:30 deri më 4 prill ora 05:30.

Shkak për këtë bllokim të tyre është bërë protesta e sindikalistëve grekë.

Në këto pika doganore nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve, autobusëve dhe kamionëve, por vetëm i këmbësorëve pa bagazhe, dhe automjeteve që do kenë emergjenca shëndetësore.

Për momentin lëvizja do kryhet vetëm nëpërmjet pikës doganore të Kapshticës.

Njoftimi i plotë:

Qendra e Bashkëpunimit Policor në Greqi, ka njoftuar Policinë e Shtetit, se nga data 02.04.2024, prej orës 05:30, deri më datë 04.04.2024, në orën 05:30, pikat doganore greke në Kakavijë, Tre Urat, Përmet, dhe Qafë Botë, Sarandë, do të jenë të mbyllura për shkak të protestës nga sindikatat greke.

Nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve, autobusëve dhe kamionëve.

Do të lejohen të qarkullojnë vetëm këmbësorët, pa bagazhe, dhe automjetet që do kenë emergjenca shëndetësore.

Në këtë kuadër, të gjithë qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve që kanë planifikuar lëvizjen drejt shtetit grek, në këtë periudhë kohore, nëpërmjet pikave të kalimit kufitar Kakavijë, Tre Urat Përmet dhe Qafë Botë Sarandë, të përdorin pikat e tjera të kalimit për në shtetin grek.

Me qëllim moskrijimin e konfuzionit në këto pika kalimi, Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe të drejtuesve të automjeteve që janë të interesuar për të lëvizur në drejtim të Greqisë, që të ndjekin udhëzimet e Policisë.

Policia e Shtetit është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet policore greke dhe do të ketë njoftime të tjera për çdo ndryshim, si dhe në rast se do të ketë bllokim edhe në pikën e kalimit kufitar Kapshticë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit