“Po tallen me djersën tonë”, fermerët e luleshtrydheve në protestë: Shteti të ndërhyjë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 30.03.2024, 15:30

Fermerët shqiptarë janë në krizë dhe kërkojnë ndërhyrjen e shtetit për të shmangur falimentimin.

Prej disa ditësh, ata po hedhin produktet e tyre pasi çmimet e tregut janë më të lira se kostoja e tyre e prodhimit.

Këtë të shtunë dhjetëra fermerë të Fierit kanë protestuar për çmimin ulët të luleshtrydhes. Të ardhur nga të gjitha fshatrat e njësisë administrative Frakull, teksa kanë bllokuar rrugën, ata akuzojnë drejtuesit e pikave të grumbullimit se po e vendosin çmimin sipas dëshirës.

“Urdhëro, kjo është luleshtrydhja cilësore që po ikën jashtë, kjo është! Merre bëje analizën dhe nëse ato mbetje janë brenda standardeve evropiane, atëherë se kemi fajin ne, e ka Evropa.”

Mes fermerëve dhe tregtarëve ka mosmarrêveshje për çmimin pasi këta të fundit përdorin si argument për çmimin e ulët faktin se prodhimi është me pesticide mbi normat. Por fermerët shprehen se ata kanë respektuar rregullat duke përdorur vetëm pesticide nga farmacitë bujqësore.

“Po tallen me djersën tonë, edhe preparatet që përdorim ne vijnë nga Gjermania, tani na thonë që del më pesticide. Është lojë e këtyre për ta shitur me shumë jashtë dhe na bllokojnë tregun vendas. Ne kemi shumë shpenzime, që nga fidani, është 11 muaj punë, presim këto 10 ditë që të vjelim dhe e kanë çuar me 400 lekë të vjetra Kg. Kam investuar nga xhepi im 30 milion lekë. Vjet ka qenë 11 mije lekë të vjetra. Unë jam minus, ambalazhi kushton. Shteti të vërë dorë në këta banditë që grumbullojnë mallin, e çojnë jashtë sa u intereson atyre”.

“Të punosh gjithë vitin për 3 mijë lekë arkën. Një dylym me luleshtrydhe do të paktën 7 deri në 8 milionë lekë shqiptare.”

“Arkën e marrin sa u do qejfi atyre, po ne ça fitojmë?!”

“Punojmë 1 vit dhe tashi unë për vete kam 30 mln lekë borxh në bankë, kredi!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit