BE letër SPAK-ut: Mbyllni hetimet për Frida Krifcën ose çështja i kalon EUROJUST

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 29.03.2024, 08:59

Nëse SPAK nuk mbyll hetimet për Frida Krifcën dhe 7 vartësit e saj brenda muajit prill 2024, prokurorët e EUROJUST do ta marrin vetë në dorë këtë çështje, duke i thirrur të kallëzuarit në Bruksel.

E nëse ata do refuzojnë të paraqiten vullnetarisht, do përdoren format dhe mjetet e detyrueshme ligjore ndërkombëtare, për t’i hetuar e gjykuar në izolim atje.

Në fillim të kësaj jave, Altin Dumani, drejtuesi i SPAK ka marrë një letër-kujtesë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit e Korrupsionit Fondeve të BE, lidhur me kallëzimin penal që kjo zyrë e BE, ka bërë për korrupsionin me fondet bujqësore dhënë AZHBR në vitet 2017-2020.

Ky kallëzim penal në SPAK është bërë më 13 qershor 2021, për 134 milionë Euro grande të fondit “IPARD-II” të BE, të cilat nuk u janë dhënë fermerëve, por janë vjedhur me projekte false me vendime të ish-Drejtores së AZHBR, Frida Krifca në bashkëpunim me vartësit e saj.

Më 22 qershor 2021, Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Komisionit Evropian, njoftoi kryeministrin Edi Rama, ish-Ministren e Bujqësisë, Milva Ikonomi dhe ish-Drejtoren e AZHBR, Frida Krifca, se BE do ndërpriste fondet bujqësore për Shqipërinë.

Menjëherë pas këtij vendimi, OLAF depozitoi 74 dosje abuzimesh me fondet e fermerëve kundër Frida Kircës dhe 7 vartësve të saj dhe kërkoi hetimin dhe vënien para përgjegjësisë penale, të autorëve të krimit financiar dhe detyrimin e përfituesve të paligjshëm, për të ri-kthyer milionat që kanë marrë.

Por që prej muajit qershor 2021 kur BE bëri kallëzimin penal ndaj Frida Krifcës e vartësve të saj, SPAK nuk filloi asnjë proces hetimi. E sikur të mos mjaftonte kjo në shtator 2021, kryeministri Edi Rama edhe pse e kishte marrë raportin e BE me abuzimet e fondeve, e emëroi Fridën Ministre Bujqësie.

Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit, Korrupsionit e Vjedhjes së Fondeve të BE nuk u dorëzua dhe në shtator 2022 e në janar 2023, depozitoi në SPAK edhe dy dosje me raste abuzimi të fondeve bujqësore, por sërish SPAK e la në heshtje kallëzimin penal.

Në muajin maj 2023, përfaqësuesit e zyrës OLAF të BE erdhën përsëri në zyrat e SPAK, ku kërkuan sqarime për ecurinë e hetimit, ndërsa më 28 shtator 2023, drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, deklaroi para mediave se ka nisur hetim për fondet bujqësore të BE.

Por këto hetime vijojnë të jenë në heshtje prej 2 vitesh e 9 muaj nga kallëzimi; dhe SPAK as nuk e ka marrë në pyetje të Frida Krifcën.

Për këtë arsye, Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit, Korrupsionit e Vjedhjes së Fondeve të BE, i ka dërguar një letër-kujtese Altin Dumanit për këtë çështje.

Në letër thuhet se nëse SPAK nuk e mbyll hetimin e fondeve bujqësore brenda muajit prill 2024, dosja do çohet për hetim në EUROJUST, duke e trajtuar si “krim financiar ndërkombëtar”.

Më tej në letër zyra e OLAF e BE, i ka bërë të qartë Altin Dumani, se tej zgjatja me afro 3 vite e hetimit; përveç mungesës së drejtësisë ndaj krimit financiar me vlerë 134 milionë Euro kundër BE dhe mos dërgimit të autorëve para drejtësisë, ka pasojë bllokimin e fondit bujqësor “IPARD-III”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit