LSDM publikoi bartësit e listave për zgjedhjet kuvendare, dy shqiptarë në pozita të garantuara

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 24.03.2024, 10:50

Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) e udhëhequr nga kryetari dhe ish-kryeministri, Dimitar Kovaçevski mbrëmë ka publikuar listat e deputetëve për zgjedhjet kuvendare më 8 maj, të këtij viti.

LSDM në listën e zonës zgjedhore 1 do të ketë bartës kryetarin Kovaçevski dhe e dyta do të jetë Monika Zajkova nga Partia Liberal Demokrate (PLD).

Në listën e zonës zgjedhore 2 LSDM do të garojë me Oliver Spasovskin, ish ministër i MPB-së dhe i dyti do të jetë Fatmir Bytyqi, zv.kryeministër aktual dhe nënkryetar i partisë.

Në listën e zonës zgjedhore 3 partia e Kovaçevskit do të del në zgjedhje me Sanja Lukarevska, drejtoreshë e Drejtorisë e të Ardhurave Publike (DAP) e pasur nga Lupço Nikollovski, ministër i Bujqësisë.

Në listën e zonës zgjedhore 4 LSDM do të garojë me ish-ministrin e shëndetësisë Venko Filipçe i cili do të pasohet nga Jovana Trençevska, ministrja aktuale e Punës dhe politikave sociale.

Në zonën zgjedhore 5 LSDM do të jetë në garë me Jovan Mitrevski, kryetari aktual i Kuvendit dhe me Bisera Kostandinovska-Stojçevska, ministre aktuale e Kulturës.

Në zonën e zgjedhore 6 LSDM do të përballet me partitë shqiptare dhe maqedonase me tandemin Sllavjanka Petrova, ministre aktuale e mbrojtjes dhe Agron Demiri, anëtar i rinisë në LSDM.

Në listat e LSDM-së bien në sy dy shqiptarë në vendet e garantuara për deputet, Fatmir Bytyqi dhe Agron Demiri.

Bytyqi njihet në opinion si zv.kryeministër aktual në Qeverinë e udhëhequr nga LSDM, i cili është i caktuar për çështje ekonomike në shtet. Agron Demiri është i vendosur në listë si përfaqësues i rinisë së partisë dhe për të mbështetur konceptin e LSDM-së “shoqëri për të gjithë” ku në shtatë vitet e fundit janë përfshirë kuadro shqiptarë nëpër listat e kësaj partie. Bytyqi caktimin e tij nga partia si bashkëudhëheqës i listët së dytë zgjedhore, e cilëson si një mundësi për të qenë më afër qytetarëve, pas viteve të shërbimit si zyrtar qeveritar.

“Nuk ndalojmë, fitorja e Maqedonisë evropiane më 8 maj është e pashmangshme” ka thënë Bytyqi me një prononcim menjeherë pasi mori besimin e kongresit të partisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit