“Çmendet” psikiatria e Vlorës, tender 500 milionë për të ruajtur pacientët

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 18.03.2024, 21:58

Në këtë kohë të çmendur që po jetojmë të gjithë, sigurisht që nuk mund të ndodhte që edhe me tenderat të bëhej e njëjta gjë. Natyrisht nuk kishte si të mos ndodhte kjo as në Spitalin Psikiatrik “Ali Mihali” Vlorë.

Rezulton se ky spital ka harxhuar gati 500 milionë lekë të vjetra me TVSH për të ruajtur me roje private mjediset e tij. Bëhet fjalë për tenderin që mban numrin e referencës REF-94871-02-08-2024 dhe ka si objekt “Shërbimi me roje private”.

Fondi limit është caktuar në vlerën 39,686,527 lekë të reja pa TVSH ose gati 500 milionë lekë të vjetra me TVSH. Duke studiuar dokumentat e tenderit vihet re se ka marrë pjesë vetëm një kompani, pra kemi të bëjmë me mungesë konkurrence.

Nga ana tjetër oferta e fituesit është vetëm 700 lekë të vjetra më pak sesa fondi limit i tenderit. Ky është një rast abuziv i pastër pasi përveç mungesës së garës, kemi të bëjmë me një vlerë fituese të njëjtë sa fondi limit.

Por cili është “fatlumi” që ka fituar këtë tender? Behet fjalë për kompaninë Myrto Security Shpk e cila është në pronësi të Hysni Myrtaj. Nga të gjitha më sipër kuptohet lehtë se kemi të bëjmë me një tender “të çmendur”.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit