Numri i lindjeve në Shqipëri vijon të bjerë, bashkë me to edhe vdekjet

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 12.02.2024, 16:13

Nga viti në vit, numri i lindjeve në Shqipëri pëson ulje dhe këtë e tregojnë edhe të dhënat zyrtare nga INSTAT.

Sipas të dhënave të fundit, numri i lindjeve për tremujorin e katërt 2023 ishte 5.857, duke shënuar një rënie me 7,6 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2022. Ndërkohë që numri i vdekjeve për tremujorin e katërt 2023 ishte 4.819, duke shënuar një rënie prej 10,5 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2022.

Gjatë kësaj periudhe, vetëm shtatë qarqe kanë regjistruar shtesë natyrore pozitive të popullsisë, ndërsa në pesë qarqet e tjera, shtesa natyrore e popullsisë është negative. Tirana vijon të mbetet qarku me shtesën natyrore më të lartë, me 833 lindje më shumë sesa vdekje, ndërsa qarku me shtesën natyrore më të ulët është Korça, me 139 vdekje më shumë se sa lindje.

Në tremujorin e katërt 2023, nëntë qarqe të vendit shënuan rënie të numrit të lindjeve, në krahasim me tremujorin e katërt 2022. Tirana është qarku me numrin më të lartë të lindjeve, me 2.126 lindje, ndërsa qarku me numrin më të ulët është Gjirokastra me 104 lindje. Por gjatë këtij tremujori, rënien më të madhe në përqindje të lindjeve krahasuar me tremujorin e katërt 2022 e e ka shënuar qarku i Kukësit me 18,8 %.

Por bashkë me rënien e lindjeve, në vend po bie edhe numri i vdekjeve. Gjatë tremujorit të katërt 2023, njëmbëdhjetë qarqe të vendit shënuan rënie të numrit të vdekjeve, ndërsa qarku i Dibrës ka mbetur në të njëjtin nivel vdekjesh, në krahasim me tremujorin e katërt 2022. Qarku me numrin më të ulët të vdekjeve është Kukësi me 109 vdekje, ndërsa qarku me numrin më të lartë është Tirana me 1.293 vdekje. Rënien më të madhe në përqindje të vdekjeve, gjatë tremujorit të katërt 2023 krahasuar me tremujorin e katërt 2022, e ka shënuar qarku i Vlorës me rënie prej 27,0 %.

Vlen të thuhet se plakja e popullsisë, emigrimi dhe zbehja e dëshirës për t'u bërë prindër, janë vetëm disa prej shkaqeve të rënies së lindjeve por edhe vdekjeve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit