Emri në njoftimin e vdekjes shkak për atentatin në Shkodër, autori erdhi nga Italia për ta vrarë

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 12.02.2024, 13:15

Një vdekje është bërë shkak për atentatin ndaj Selami Brahimit, mbrëmjen e 8 shkurtit në Shkodër.

Autori i kësaj ngjarje është Sulejman Kapllani, xhaxhai i nuses së Brahimit. Në janar të këtij viti, Musa Kapllani, vjehrri i Selami Brahimit dhe vëllai i Sulejman Kapllanit, u nda nga jeta. Por në njoftimin për vdekjen e tij, nuk u përmendën fare dy vëllezërit Sulejmani dhe Bërhani, pasi ai prej vitesh nuk fliste me ta.

Por ky detaj dhe indiferentizëm në vdekje, u bë shkak për lindjen e debateve mes Sulejman Kapllanit dhe dhëndrit të tij, Selami Brahimi.

Më 5 shkurt, Sulejman Kapllani, emër i njohur për policinë shqiptare dhe atë italiane, pasi jetonte prej vitesh në Itali, ka ardhur në Shqipëri dhe në Rinas ka marrë me qira makinën me të cilën kreu krimin mbrëmjen e 8 shkurtit. 68-vjeçari Sulejman Kapllani dyshohet se ka qëlluar me 10 plumba në drejtim të dhëndrit të mbesës së tij, por vetëm një plumb e ka kapur në fytyrë Brahimin. Ai ka pritur rreth një orë derisa Brahimi ka shkuar te lokali i tij, dhe sapo ka dalë nga makina e ka qëlluar.

Pas atentatit, ai është larguar nga Hani i Hotit dhe nëpërmjet aeroportit të Podgoricës ka shkuar në Berlin, aty ku dhe është arrestuar. Selami Brahimi kur është marrë në pyetje ka deklaruar se nuk e ka parë dot autorin dhe ka mohuar ndonjë konflikt të ditëve të fundit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit