Veliaj shpërblen djalin e Sandër Meksit me tenderin e radhës

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 09.10.2023, 21:53

Erion Veliaj nuk ndalet duke bërë qoka poshtë e përpjetë jo vetëm tek oligarkët e qeverisë por edhe tek të ashtuquajturit “të djathtë”. Për shkak të lidhjeve e pazareve të dyshimta, Veliaj nuk harron të shpërblejë përsëri djalin e ish-kryeministrit të kohës së fajdeve, Aleksandër Meksi.

Kujtojmë se ky i fundit ka qenë kryeministër në kohën kur qindra e mijëra familje shqiptare humbën kursimet e tyre dhe shtëpitë për shkak të skemave piramidale. Këto skema mashtruese u lejuan pikërisht nga Aleksandër Meksi për shumë vite, për arsye që vetëm ai i di.

Por në vend që të përfundonte pas hekurave, jo vetëm që nuk i ndodhi asgjë por përkundrazi, i biri, Endri Meksi, vazhdon të marrë përsëri tendera nga qeverisja socialiste, e në veçanti nga krye pastruesi i parave të drogës, Erion Veliaj.

Sigurisht nuk do kishte asgjë të keqe nëse Meksi do të merrte tenderin në mënyrë të drejtë. Por këtu ka një problem. Procedura e shpalljes fitues është tepër e dyshimtë. Bëhet fjalë për një tender me numër reference REF-78760-08-31-2023 dhe me objekt “Shërbim dhe mirëmbajtje vjetore sistemi call center”.

Fondi limit i tij është 2,800,000 lekë të reja pa TVSH ose gati 33 milionë lekë të vjetra me TVSH. Autoriteti kontraktues është SH.A Ujësjellës Kanalizime Tiranë, institucion në varësi direkte të Bashkisë Tiranë. Vihet re se kanë marrë pjesë në tender vetëm 4 firma.

Nga këto, njëra prej firmave që ka marrë pjesë, ka ofruar zero lekë. A mund të mendohet në një garë normale që dikush të marrë pjesë dhe të ofrojë zero lekë? Sigurisht që jo. Megjithatë në këtë tender ka ndodhur kështu. Kjo është një skemë tipike në tenderat shqiptarë ku për të dhënë idenë se gjoja ka patur garë, futen edhe firma të tilla me ofertë zero.

Si përfundim fituese është shpallur kompania e Endri Meksit, MC NETËORKING, për vlerën 2,160,000 lëkë të vjetra pa TVSH ose gati 26 milionë lekë të vjetra me TVSH. Për çfarë ta ketë shpërblyer vallë Veliaj, Endri Meksin? Si mendoni?

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit