Vis qethësi gostit me 900 MLN djalin e Valentina Leskaj për konsulencë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 02.10.2023, 21:55

Valentina Leskaj ndoshta është larguar nga politika, por djemtë e saj vazhdojnë të marrin tendera në vlerë prej qindra milionë lekësh nga qeveria socialiste. Kjo vërteton edhe një herë faktin se paratë e tenderave qarkullojnë vetëm në duart e një grupi të vogël njerëzish të lidhur me qeverisjen dhe bashkëpunëtorët e saj.

Është e çuditshme ndërkohë përse SPAK nuk ka ndërmarrë asnjë hap domethënës në drejtim të qindra tenderave të dyshimtë të realizuar nga institucionet shqiptare. I tillë është edhe rasti në fjalë ku kësaj radhe personi që ka zgjidhur qesen e parave publike është Evis Berberi, një ndër qethësit më të mëdhenj të tyre.

Bëhet fjalë për një tender të organizuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar me objekt “Studim Projektim aksi rrugor Elbasan – Lekaj Koridori 8”. Nga dokumentat shikohet se kemi të bëjmë me konsulencë dhe për këtë është caktuar një fond limit në vlerën 83,139,834 lekë të reja pa TVSH ose rreth 100 milionë lekë të reja me TVSH.

Pra gati 1 milionë euro do të merren nga taksat e shqiptarëve dhe do të jepen vetëm për konsulencë tek Besnik Leskaj, djali i Valentina Leskaj. Zotëria në fjalë për të humbur gjurmët ka garuar si bashkim operatorësh me 3 kompani të tjera.

Fitues është shpallur bashkimi i 4 kompanive, përkatësisht “PNI-2001” & “G & K” + “GeoENG” & “ABKONS” për vlerën 75,680,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 910 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Besnik Leskaj është pronari i kompanisë ABKONS ku edhe këtu është përpjekur të kamuflojë pronësinë e tij, pasi si pronar i kësaj kompanie është një tjetër kompani e quajtur BLESSED INVESTMENT. Kjo e fundit nga ana e saj ka si pronar Besnik Leskaj.

Duket se Leskaj ka bërë gjithë këto manovra vetëm që të mos binte në sy kollaj se fitues i tenderit është pikërisht ai. Ndërkaq vlera që Leskaj do të fusë në xhep është sa 91% e fondit limit, duke ngritur dyshime të forta se fituesi dihej që në fillim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit