Një nga firmat ofroi vlerë zero, UKT e Veliajt shpërdoron 70 MLN

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 26.09.2023, 21:36

Skema e kompanive që marrin pjesë nëpër tendera duke ofruar vlerën zero është e vjetër. Ajo përdoret kryesisht në rastet kur është e nevojshme që tenderi të duket sikur ka patur konkurrencë e se gjoja nuk ka vend për dyshime në realizimin e tij.

Zakonisht në të tilla raste, gjatë garës paraqiten 2 apo më shumë firma nga të cilat njëra apo disa paraqesin ofertë zero lekë në mënyrë që e vetmja mundësi për të fituar të jetë ajo e firmës që ka dhënë ofertë.

Një skemë e tillë duket se është zbatuar edhe në tenderin e radhës të organizuar nga SH.A Ujësjellës Kanalizime Tiranë, institucion në varësi direkte të Erion Veliajt. Tenderi në fjalë mban numrin e referencës REF-77128-08-09-2023 dhe ka si objekt “Blerje vegla pune për nevojat e shoqërisë Ukt sha”. Fondi limit i saj është në vlerën 6,000,000 lekë të rejqa pa TVSH ose rreth 72 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Tani le të hapim “lakrat”. Nga dokumentat shikohet se kanë marrë pjesë 4 kompani. Nga këto njëra ka ofruar vlerën zero. Pikërisht rasti që thamë në fillim. Që këtu lindin dyshimet se fituesi ka qenë i paracaktuar që në fillim.

Nga ana tjetër rezulton se një firmë e ndryshme nga fituesja ka ofruar ofertë më të vogël, por megjithatë nuk është marrë në konsideratë. UKT e Veliaj ka shpallur fituese firmën SAHORA për vlerën e ofruar 5,634,500 lekë të reja pa TVSH ose gati 70 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Kjo kompani rezulton të jetë në pronësi të Anri Hoxhaj. Nëse do të bënim një krahasim mes vlerës fituese dhe fondit limit do të shikonim se oferta e dhënë nga firma fituese është sa 94% e këtij fondi. Të gjitha sa më sipër shtojnë dyshimet se Veliaj ka futur përsëri në xhep një dorë të mirë nga lekët e qytetarëve.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit