Spitali i Elbasanit apo i njohur gjatë me emrin Qendra Spitalore XHAFERR KONGOLI Elbasan, është një prej atyre institucioneve që nuk të fal për çështje tenderash. Si duket ka mësuar mirë nga tashmë ish-ministrja Ogerta Manastirliu dhe vazhdon punën nën shembullin e saj. Kjo e fundit ka qenë ende në detyrë gjatë shpalljes së fituesit të këtij tenderi.
Në rastin konkret do t’ju tregojmë se si ky spital i drejtuar nga Agron Gaxho ka organizuar një tender të dyshimtë. Bëhet fjalë për procedurën me objekt “Mirëmbajtje e pajisjeve të mëdha mjeksore CT Skaner dhe Rezonancë Magnetike” me numër reference REF-76955-08-07-2023.
Fondi limit i saj është 26,344,800 lekë të reja pa TVSH ose gati 316 milionë lekë të vjetra me TVSH. Po ku qëndron problemi? Nëse do të shfletojmë dokumentat e kësaj procedure do të vihet re se ka marrë pjesë vetëm fituesi.
Pra jemi në kushtet e një mungese totale të konkurrencës. Duke shtuar këtu që kemi të bëjmë edhe me mirëmbajtje, dyshimet për një garë fiktive rriten së tepërmi. Sa për statistikë, fituese është shpallur firma HEALTH & LIGHT SHPK e krijuar nga Erion Çela dhe Ervis Mançe. Në 14/12/2022 këta dy ortakë i kanë transferuar kuotat e kapitalit në favor të një personi të quajtur Petrit Vargu.
Ata kanë dhënë si ofertë shifrën 26,344,800 lekë të reja pa TVSH ose rreth 316 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Por vini re diçka, del se vlera fituese është identike me fondin limit, pra ka qenë e qartë që në fillim se cili do të fitonte dhe e gjithë procedura e këtij tenderi ka qenë një farsë e vërtetë e denjë për SPAK.