Kartelet e drogës pazar me Eliona Demaliaj, Besnik Lulaj merr 3 miliardë lekë tender

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 29.08.2023, 19:32

Duket se krimi ka hyrë gjithmonë e më shumë në tenderat publikë. Nëse më parë kemi denoncuar rastet kur tenderat jepeshin ndaj personave të ndryshëm në mënyrë korruptive ku secili merrte pjesën e tij, tashmë duket se krimi është përfshirë gjithashtu në procedurat e prokurimit.

Kështu rezulton se Spitali Obstetrik Gjinekologjik Mbretëresha Geraldinë i drejtuar nga Eliona Demaliaj i ka dhënë një tender prej rreth 3 miliardë lekësh të vjetra me TVSH Besnik Lulaj. Ky i fundit është pronar i një sërë kompanish, mes të cilash VALONA KONSTRUKSION apo MARINA BAY LUXURY RESORT.

Emri i tij është përmendur shumë shpesh në media si një person i cili ka lidhje me kartelet e drogës në Meksikë. Bëri bujë lajmi para pak kohësh se media meksikane “El Universal” botoi një artikull ku akuzoheshin pronarët e “Marina Bay” se janë të lidhur me kartelin famëkeq të drogës, Sinaloa në Meksikë.

Në një pjesë të shkrimit të kësaj gazete thuhet se "Ismael Zambada García i njohur si El Mayo është aleat me mafien shqiptare dhe se ka krijuar lidhje të ngushta me vëllezërit shqiptarë Luftar, Arben, Fatos dhe Ramiz Hysa". Luftar Hysa cilësohet prej kohësh në media si ortak i Besnik Lulaj.

Duket se drejtoresha e Maternitetit Mbretëresha Geraldinë, Ediona Demaliaj, ka filluar tashmë të luajë “rëndshëm” duke u përfshirë në tendera edhe me persona të akuzuar gjerësisht në media si pjesë e krimit. Bashkëpunimi mes tyre ka ndodhur konkretisht në tenderin me numër reference REF-66641-04-20-2023 dhe me objekt “Rikonstruksion, përforcim i godinës së Obstetrikës, rikonstruksion dhe termoizolim i fasadës së godinës së Gjinekologjisë dhe sistemimet e jashtme, brenda kompleksit të godinave të SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”.

Fondi limit i tenderit është llogaritur në vlerën 237,852,663 lekë të reja pa TVSH ose gati 3 miliardë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Në procedurë kanë marrë pjesë 5 kompani nga të cilat dy kanë dhënë ofertë zero. Është e kuptueshme se kur në mes është krimi, dihet fituesi dhe të gjithë hapin krahun.

Madje edhe kur dikush jep ofertë më të ulët përsëri nuk merret në konsideratë, siç edhe ka ndodhur në këtë rast ku rezulton se njëra nga firmat ka ofruar gati 300 milionë lekë të vjetra më pak, një diferencë kjo kolosale.

Por Eliona Demaliaj e kishte vendosur prej kohësh fituesin dhe si rrjedhojë është shpallur i tillë bashkimi i operatorëve VALONA KONSTRUKSION”sh.p.k. në pronësi të Besnik Lulaj dhe “NDREGJONI” sh.p.k. në pronësi të Xhetan Ndregjoni. Ata kanë ofruar vlerën prej 228,905,956 lekë të reja pa TVSH ose gati 3 miliardë lekë të vjetra përfshirë TVSH.

Kuptohet qartë që fituesi është i paracaktuar edhe nëse bëjmë raportin mes vlerës fituese dhe fondit limit. Kështu rezulton se oferta fituese është sa 96% e fondit limit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit