“Fushatë shokuese ndaj emigrantëve, policët anglezë trajnohen që t’i njohin shqiptarët nga tiparet”

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 29.05.2023, 12:45

Shqiptarët në Angli nuk janë më të mirëpritur dhe ky është një fakt i deklaruar hapur tashmë. Madje mësohet se zyra e emigracionit në Angli, “Home Office” pritet të ndërmarrë një fushatë reklamuese kundër shqiptarëve, që shkojnë në rrugë të paligjshme në Britaninë e Madhe.

Raportohet se në rrjetet sociale do të publikohen disa pankarta kundër emigrimit të shqiptarëve në Britani. Këtë zhvillim e ka bërë të ditur një nga zëdhënësit e “Home Office”, teksa gazetarja Eda Berisha bën me dije se kjo ndërmarrje nuk është pritur aspak mirë nga organizatat e azilkërkuesve në Britani dhe jo vetëm.

“Tashmë ‘Home Office’ ka filluar me marketingun e përvitshëm, pasi këto reklama kanë që në vitin 2021 që atakojnë Shqipërinë dhe shqiptarët. Është një pankartë që thotë ‘Ndalim dhe Largim’ dhe është për të gjithë shqiptarët, që vijnë me gomone nga Kanali i La Manshit.

Kjo pankartë e madhe do të jetë në të gjitha rrjetet sociale, por këto pankarta do të dërgohen dhe në Shqipëri, sipas një zëdhënësi të ‘Home Office’ gjatë ditës së djeshme”, tha Berisha fillimisht.

“Nuk e dimë se sa do të na kushtojë kjo reklamë, por të paktën ne duam të vazhdojmë me luftën tonë për të larguar emigracionin e paligjshëm dhe sidomos me shqiptarët”, mësohet të jetë shprehur zëdhënësi i “Home Office”.

Berisha tregon gjithashtu se përveç rrjeteve sociale, këto reklama do të shfaqen edhe në ekrane të mëdha nëpër qytete, teksa do t’i dërgohen edhe Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë për përdorim. Ndërkohë, Berisha tregon edhe detajin e bujshëm se policët anglezë po trajtohen për t’i njohur shqiptarët nga tiparet dhe fizionomia e tyre.

“Këto reklama nuk do të jenë vetëm në rrjetet sociale, por edhe në ‘led ëall’-e sepse ai ishte mjaft i qartë kur tha se këto reklama do të dërgohen edhe në Ministrinë e Brendshme të Shqipërisë. Shefi ekzekutiv i 'Refuge Action' është shprehur se kjo që ‘Home Office’ ka ndërmarrë është e pakuptimtë, mbasi në mesin e atyre azilkërkuesve mund të ketë persona, që kërkojnë vërtet mbrojtje.

Gjithashtu edhe laburistët në parlament nuk i kanë pritur mirë këto lloj pankartash dhe i kanë quajtur qesharake sesi politikat e emigracionit të Rishi Sunak janë duke shkuar gjithnjë edhe më poshtë. Asnjë nga shtetet e botës nuk e ka bërë këtë marrëveshje me Britaninë për të rikthyer të burgosurit, përveç se shtetit shqiptar.

Jo vetëm oficerët e emigracionit janë të trajnuar për të ndalur emigrantët shqiptarët, por edhe policia metropolitane është e trajnuar për të ndaluar shqiptarët vetëm nga fizionomia e tyre. Të arrish të ndalosh shqiptarët vetëm nga fizionomia e tyre, kjo është shokuese”, përfundoi Eda Berisha.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit