Fredi Belerin e “tradhton” zemra, lë paraburgimin dhe shtrohet në QSUT

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 29.05.2023, 12:15

Si zakonisht, titullarët publikë nuk e përballojnë dot burgun dhe pas një kohe të shkurtër në izolim, përfundojnë në spital. Kështu mësohet se ka ndodhur ditën e sotme me Fredi Belerin, kryetarin e Bashkisë së Himarës, i cili ndodhet prej javësh pas hekurave për akuzën e blerjes së votave.

Burime për mediat raportojnë se ai ka shfaqur probleme me shëndetin dhe prej disa ditësh ai ka lënë qelinë e paraburgimit dhe është transportuar në QSUT, pasi mësohet se ka çrregullime të zemrës. Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 Majit nën akuzën e blerjes së votave.

Ai është në luftë ligjore për të fituar lirinë, teksa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dhënë mandatin si kryebashkiak i Himarës. Beleri u shpall fitues me një diferencë të vogël votash ndaj Jorgo Goros, si kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë”. Nëse dënohet në formë përfundimtare, ai e humbet mandatin e kryetarit të bashkisë.

Beleri më së shumti njihet si një figurë shumë kontroverse, teksa ai është gjykuar edhe për përfshirjen në masakrën e Peshkëpisë, ku mbetën të vrarë dy anëtarë të ushtrisë shqiptare. Gjithashtu, ai herë pas here ka bërë deklarata anti-shqiptare, duke u shfaqur si një personazh plot dritë-hije.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit