Konfindustria: Bordi përdor çmimin e naftës për qëllime politike, vendime të dyshimta

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 27.05.2023, 09:58

Mbaruan zgjedhjet, nisi spektakli me çmimin e naftës. Menjëherë pas 14 majit, çmimi i naftës ka pësuar rritje të menjëhershme me 6 lekë, ndërkohë që ditë pas dite çmimi vijon një trend në rritje, çka tregon shumë qartë talljen e qeverisë dhe bordit të famshëm.

Menjëherë pas kësaj ka reaguar edhe Konfindustria, e cila është e shqetësuar pa kësaj rritjeje artificiale të çmimit të naftës ndërkohë që çmimet në bursë janë në nivele të para luftës dhe nuk kanë një dinamikë kaq të shpejtë sa ndryshimet e Bordit së fundmi.

Konfindustria vëren se menjëherë pas zgjedhjeve çmimi i naftës u rikthye të jetë më i shtrenjti në rajon dhe një nga më shtrenjtët në Europë. Në deklaratë shkruhet se vendimet e Bordit të Transparencës për çmimet para dhe pas zgjedhjeve janë kundër interesit publik dhe janë zgjedhur për qëllime politike.

“Konfindustria shpreh shqetësimin për rritjen e fortë dhe të menjëhershme të çmimit të karburanteve menjëherë pas zgjedhjeve vendore 2023. Bordi i Transparencës, menjëherë në javën e parë pas zgjedhjeve, rriti çmimin tavan të naftës me 6 lekë/litër. Sot në pikat e pakicës nafta tregtohet deri me 179 lekë/litër.

Shqipëria i rikthehet përsëri çmimeve më të larta në rajon dhe nivel krahasimor nga më të shtrenjtat në kontinent. Çmimet e rritura ndjeshëm të karburanteve në tregun shqiptar nuk shkojnë në të njëjtin kah me çmimet e shteteve të rajonit.

P.sh në Maqedoni çmimi i produktit “naftë” i shprehur në Lek është më i ulët sesa 125 lekë/litër. Nëse do të bëhet krahasimi, përfshirë edhe ndryshimin fiskal, çmimi i “naftës” në tregun shqiptar është 15-20 lekë për litër më i shtrenjtë.

Konfindustria vlerëson se vendimet e njëpasnjëshme të Bordit të Trasparencës në periudhën para dhe pas zgjedhore për çmimin e karburanteve krijojnë dyshime të arsyeshme, se janë jo vetëm kundër interesit publik, por edhe përdorim për qëllime politike”, thuhet në reagimin e Konfindustrisë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit