Çudira shqiptare/ Bizneset kërkojnë punëtorë me “lupë”, por papunësia te të rinjtë është më e larta në Europë

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 26.05.2023, 11:37

Ka çudira që vetëm në Shqipëri mund të ndodhin. Një pjesë e madhe e bizneseve ankohen vazhdimisht për mungesë të fuqisë punëtore dhe tregu po vuan shumë largimin e të rinjve jashtë vendit, por nga ana tjetër Shqipëria është vendi i parë në Europë sa i përket të rinjve të papunë.

Sipas INSTAT dhe Eurostat, shumica prej të rinjve shqiptarë refuzojnë të punojnë dhe presin vetëm të largohen nga vendi, për të gjetur një vend pune me rrogë më të përshtatshme. Pikërisht paga është arsyeja përse të rinjtë shqiptarë refuzojnë të punojnë, edhe kur ndodhen në atdhe.

Sipas INSTAT, shkalla zyrtare e papunësisë për të rinjtë 15-29 vjeç ishte 21,5% në 3-mujorin e fundit 2022 dhe rreth 20.7% për vitin 2022. Ky tregues në Shqipëri është tre herë më i lartë se mesatarja e BE-së, me 6.3%. Edhe në raport me shtetet e tjera të rajonit, treguesi është shumë më negativ.

Sipas Eurostat, në Serbi, papunësia tek grupmosha 15-29 vjeç ishte 8.6% në 2022. Në Maqedoninë e Veriut treguesi ishte 14% në 2020 dhe Mal të ZI 13.8% në vitin 2020. I gjithë rajoni e uli papunësinë tek të rinjtë në vitet e fundit, kurse në Shqipëri në vitin 2022 papunësia tek të rinjtë shënoi rritje.

Vendi i ynë është i vetmi në Europë, që e ka ende shkallën e papunësisë te të rinjtë me mbi 20%, teksa të dhënat për Kosovën mungojnë. Në tetor-dhjetor 2022 rezultuan të papunë 75,050 persona të moshës 15-29 vjeç ose 3,669 te rinj më shumë të papunë se e njëjta periudhe e vitit të mëparshëm.

Numri më i madh i të papunëve të kësaj grupmoshe i përket atyre me arsim të mesëm me 25,3%, teksa më i ulët është i atyre me 8-9 vjeçare me 18.9% dhe arsim të lartë me 18.7%. Sipas gjinisë, papunësia është më e lartë te djemtë me 22.4% sesa të vajzat me 20.5%.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit