Shqiptarët “tërbojnë” autoritetet britanike, si garantuesit e rremë nxjerrin emigrantët e paligjshëm nga kampet

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 25.05.2023, 13:44

Shqiptarët duket se po sfidojnë shumë fort rregullat e reja të qeverisë angleze, që po planifikon të kthejë një numër të madh të atyre që kaluan kanalin me gomone gjatë vitit të shkuar. Ndërkohë që qëndrojnë të izoluar nëpër kampe, nën kontrollin e shtetit, shqiptarët kanë gjetur një mënyrë sesi t’i shpëtojnë autoriteteve dhe dëbimit.

Media prestigjoze britanike “The Telegraph” ka zbuluar skemën e re, me të cilën shqiptarët arrijnë të mashtrojnë “Home Office” dhe të enden më pas të lirë në Angli, në kërkim të një jete të re, të cilën atdheu i tyre nuk ua dha dhe i detyroi të dergjen në një vend të huaj e të luftojnë për të siguruar një jetesë me kushtet e duhura.

Shqiptarët që kanë hyrë ilegalisht në Angli i paguajnë rreth 3 mijë paundë personave, që shfaqen para autoriteteve si garantues, por në të vërtetë ata nuk rezultojnë aspak të tillë. Garantuesit e rremë e promovojnë aktivitetin e tyre në rrjetet sociale “Tik Tok” dhe Facebook”, duke hapur profile posaçërisht për reklamimin e këtij marifeti.

I njëjti burim bën gjithashtu me dije se këta persona arrijnë gjithashtu të kryejnë edhe heqjen e etiketave elektronike të shqiptarëve, që përdoren për të parandaluar arratisjen e emigrantëve pasi të lirohen në komunitet. Shqiptarët përbënin rreth një të tretën e 47,755 që arritën në Mbretërinë e Bashkuar me varka të vogla në vitin 2022.

Gjithashtu, po hetohet me hollësi edhe aktiviteti i avokatëve në Britani, të cilët dyshohet se po i ndihmojnë shqiptarët që të shfrytëzojnë anekse ligjore dhe i udhëzojnë sesi të sillen përballë nëpunësve të shtetit, në mënyrë që të shmangin dëbimin nga Britania. Nëse vërtetohet pretendimi i “Home Office” pritet të ketë kufizime edhe për avokatët.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit