Burri hidraulik e gruaja shtëpiake, kush janë shqiptarët që vodhën kursimet të moshuarve në Itali

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 24.05.2023, 22:13

Një çift bashkëshortësh me origjinë shqiptare janë arrestuar mëngjesin e së dielës nga policia italiane, në një fshat afër Ravenës pasi akuzohen se iu kanë vjedhur 5500 euro një çifti të moshuarish që u përmbytën.

Mediat italiane raportojnë se Martin Faqolli, 39-vjeç me profesion hidraulik dhe që jeton qysh në fëmijëri në qytetin Romagna dhe bashkëshortja e tij Valde Dudi, 33-vjeçare shtëpiake duhet të qëndrojnë në paraburgim pasi akuzohen për grabitjen në shtëpinë e 70-vjeçarëve. Veprimi i tyre është cilësuar si "i paskrupullt" pasi shqiptarët kanë shfrytëzuar një "emergjencë kolektive për qëllime të këqija" në një kohë që të ardhurat e tyre janë të mjaftueshme për të mbajtur familjen.

39-vjeçari Faqolli ka marrë të gjithë përgjegjësinë për ngjarjen, duke kërkuar falje dhe duke pretenduar se kishte shkuar së bashku me gruan dhe disa vullnetarë me qëllimin e vërtetë për të ndihmuar. Por ai thotë nuk i ka rezistuar dot tundimit kur ka parë paratë që po thaheshin në një thes të lënë në diell. Ndërkohë që gruaja e tij tha se nuk kishte dijeni për vjedhjen.

Por për gjyqtarin ata janë të dy përgjegjës: gruaja thuhet se i ka marrë paratë dhe i ka fshehur në një qese ndërsa burri i ka marrë më pas.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit