Prokuroria kërkon paraburgim për drejtorin e VisaMetric

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 24.05.2023, 10:55

Shtetasi turk S.O., drejtor i VisaMetric është ndaluar dje për 48 orë si i dyshuar për veprën penale “Mosekzekutimi i vendimeve gjyqësore”.

Ndaj tij, Prokuroria Themelore e Prishtinës, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore, Laureta Ulaj.

Gjykata Komerciale e Republikës së Kosovës ia kishte ndaluar kompanisë Visametric që t’ua merrte qytetarëve nga 30 euro për shërbimin postar të dërgimit të pasaportës. Edhe përkundër këtij vendimi, Visametric po vazhdonte të merrte shumën 30 euro.

Kjo, ani pse shkalla e parë dhe shkalla e dytë e kësaj gjykate kishin marr vendim që t’ia ndalonin “VisaMetric” që t’i detyrojë qytetarët të paguajnë nga 30 euro për shërbime postare.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka urdhëruar kompaninë VisaMetric që të rimbursojë qytetarët për “pagesa të paarsyeshme”, si për shërbimin e dërgesës me postë të pasaportës në shumën prej 30 eurosh. Kjo pasi qytetarët dërguan një mori kërkesash në drejtim të MINT, për ta trajtuar rastin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit