Ofroi 700 lekë më pak se fondi limit, “R & T” fiton 700 milionë nga ALBCONTROL në tenderin pa garë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 16.05.2023, 19:01

Tashmë fushata zgjedhore mbaroi dhe duket se gjërat kanë filluar të kthehen në “normalitetin” e përditshëm. E njëjta situatë duket se ka ndodhur edhe me tenderat e dyshimtë të cilët vazhdojnë pa u ndalur të jepen si më parë.

Njëri ndër ata që tërheq vëmendjen është edhe një tender i organizuar nga ALBCONTROL SH.A. me objekt “Sigurimi i kullës së kontrollit mobile në Aeroportin e Kukësit me gjithë pajisjet e nevojshme”.

Bëhet fjalë për një procedurë me një fond limit prej 55,498,333 lekësh të reja ose gati 700 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Duke shikuar dokumentat përkatëse të këtij tenderi shikohet se kemi të bëjmë me një mungesë totale konkurrence.

Në tender ka marrë pjesë vetëm një kompani, e cila ka ofruar vetëm 700 lekë më pak sesa fondi limit. Kuptohet lehtë që është shpallur fituese si e vetmja në garë që plotësonte kushtet. Kjo është kompania R & T në pronësi të Renis Tërshanës.

Ky i fundit rezulton se në një kohë të shkurtër ka përfituar tendera tepër të majmë nga institucione të shumta shqiptare. Oferta e tij ka qenë 55,497,600 lekë të reja pa TVSH ose rreth 700 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Nëse bëjmë diferencën mes kësaj ofertë dhe fondit limit të tenderit del shifra qesharake prej gati 700 lekësh të reja, duke bërë që oferta e dhënë prej tij të jetë mbi 99.9% e fondit limit. Ky është një rast tepër flagrant që ngre dyshime tepër të forta në lidhje me vërtetësinë e tenderit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit