Veliaj e pranon hapur, patronazhistët na përgjojnë të gjithëve

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 16.05.2023, 20:58

Erion Veliaj mbajti pasditen e sotme një fjalim falënderues para patronazhistëve të tij përpara selisë së Partisë Socialiste. Ndonëse në Tiranë morën pjesë në votime vetëm rreth 40% e zgjedhësve, pra shumë më pak se gjysma, Veliaj shfaqej tepër i gëzuar a thua se e kishin votuar 100% e banorëve të Tiranës.

Gjithsesi përtej kësaj, gjatë fjalimit të tij bëri përshtypje një pjesë në të cilën ai falënderonte publikisht patronazhistët. Veliaj u shpreh se patronazhistët janë çelësi i fitores se tij pasi ata sigurohen të dinë hallet e çdo dere, çdo rrugice e deri çdo adrese.

Sipas tij, patronazhistët këtë e bëjnë duke patur aftësi në nivel kapilar për të dëgjuar e për të parë çdo gjë, duke e shndërruar Tiranën në një “Big Brother” të madh ku privacia e gjithkujt është në rrezik.

Me pak fjalë patronazhistët “fshihen nëpër cepa” e dinë çdo detaj nga jeta private e gjithsecilit prej banorëve të Tiranës. E thënë shqip, patronazhistët na përgjojnë të gjithëve e më pas na spiunojnë te “shefi i madh”, i cili nuk e ka për turp t'i falenderojë edhe publikisht.

Kjo natyrisht në shkelje flagrante të çdo parimi të mbrojtjes së të dhënave personale. Por për habi Komisioneri i Mbrojtjes së të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, duket se e merr rrogën kot pasi nuk është dëgjuar të thotë ndonjë fjalë në lidhje me këtë skandal përgjimi.

Pjesë nga fjala e Veliajt:

Sot dua të falenderoj skuadrën tonë të mrekullueshme, të patronazhistëve, të atyre që sigurohen që ne të dimë hallet e çdo dere, të çdo adrese, të çdo rrugice... Ju falënderoj shumë. Ashtu si e tha dhe kryeministri, vetëm aftësia për të pasur në nivel kapilar vesh për të dëgjuar, sy për të parë, mendje për të zgjidhur problematika, zemër për të rrahur me nevojat e komunitetit, këto janë... ky është çelësi i fitores tonë. Këto janë formulat e fitores sonë...

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit