Escobar: Kërkojmë nga opozita të mbështesë rrugën euroatlantike

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 13.05.2023, 18:11

Ne jemi të përkushtuar t’i shfrytëzojmë të gjitha veglat tona, përfshirë edhe sanksionet, për luftë kundër korrupsionit, kudo që ta zbulojmë, kështu ka deklaruar zëvendës-ndihmës sekretari shtetëror i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, duke folur për gjendjen me korrupsionin në Maqedoninë e Veriut. Ai në një intervistë për Zërin e Amerikës, tha se sekretari Blinken dhe kryeministri Kovaçevski, kanë biseduar gjatë në takimin e tyre, për mënyrën se si mund të punojnë së bashku për uljen e korrupsionit në rajon.

“Kemi interes të fuqishëm që të kujdesemi që Maqedonia e Veriut dhe vendet e tjera të rajonit të bëjnë pjesën e tyre për uljen e korrupsionit dhe zbatimin e sundimit të së drejtës. Gjithçka që mund të them është se, kemi partneritet të mirë me Maqedoninë e Veriut. Ata bëjnë reforma për korrupsionin dhe ne duhet të vazhdojmë të thellojmë atë bashkëpunim” – tha Gabriel Escobar.

Duke folur për procesin e ndryshimeve kushtetuese, të cilat kundërshtohen nga opozita maqedonase, Escobar tha se bisedojnë me opozitën në lidhje me këtë temë, por nuk ka dashur të komentojë përmbajtjen e bisedimeve diplomatike. Ai tha se, dëshiron të dëgjojë nga opozita përkushtim në rrugën e integrimeve euroatlantike, ndërsa kjo sipas tij, përfshin shqyrtimin e mënyrave për çuar Maqedoninë në Konferencën e ardhshme ndërqeveritare.

“Shqetësimi ynë më i madh është se do të humbasim kohë. Dhe e dini, ne nuk kërkojmë nga opozita që të mbështesë kryeministrin. Kërkojmë nga opozita të mbështesë rrugën euroatlantike të Maqedonisë së Veriut. Kjo është marrëveshja më e mirë që e kemi arritur. Ajo është e arsyeshme, mendoj deri tani dhe duhet të vazhdojmë përpara sa më shpejtë të jetë e mundur. Për këtë, shpresoj se të gjitha palët e spektrit politik t’i mbështesin ndryshimet e nevojshme që të mund të vazhdojmë përpara në përparimin e kandidaturës së Maqedonisë së Veriut” – deklaroi Escobar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit