“AFP”: Është çështje e mbyllur, Messi transferohet në Arabi dhe merr 1 miliard euro

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 09.05.2023, 12:39

“AFP” raporton se Lionel Messi do të transferohet në Arabinë Saudite në sezonin e ardhshëm dhe do të firmosë një kontratë 2-vjeçare me një pagë, që pritet të jetë rekord i ri botëror. Një burim ka thënë për agjencinë e njohur të lajmeve se negociatat janë në rrugë të mbarë dhe Messi pritet të firmosë kontratën më të madhe ndonjëherë.

“L’Equipe” ka raportuar prej ditësh se ka një ofertë nga Arabia dhe udhëtimi i Messit në Lindjen e Mesme u përfol se ishte pikërisht për këtë qëllim. Kontrata dyvjeçare e argjentinasit do të ketë edhe mundësinë për rinovimin në një vit të tretë. Messi do të fitojë një shifër monstruoze prej plot 500 milionë eurosh në sezon.

Messi e pëlqen ende idenë për të qëndruar në arenën e madhe evropiane, por duket se kjo ofertë ka thyer çdo dëshirë dhe synim. “Largimi i tij për në mbretëri është një punë e kryer. Ai do të luajë në Arabinë Saudite”, mësohet të ketë thënë burimi për “AFP”, në kushte anonimiteti.

Agjencia e lajmeve kontaktoi PSG-në, e cila u përgjigj se kontrata e lojtarit të tyre do të përfundonte muajin e ardhshëm. Ndërkohë, nuk është bërë ende me dije klubi ku do të transferohet Messi, por shanset më të mëdha janë që ai të kalojë te Al Hilal. Në ditët e shkuara është përfolur një transferim edhe i Jordi Albës dhe Sergio Busquets në të njëjtin klub me Messin.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit