Policia e Shtetit i jep 1.4 miliardë Renis Tërshanës në tenderin pa konkurrencë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 04.05.2023, 21:59

Duket se Policia e Shtetit e drejtuar nga Met Rrumbullaku, ka filluar të merret “rëndshëm” edhe me tenderat. Nuk bëhet fjalë për shifra të vogla, por në rastin konkret vlerat shkojnë në 1.4 miliardë lekë të vjetra.

Ky institucion rezulton të ketë organizuar një tender të dyshimtë për mirëmbajtje. Siç dihet, tenderat që kanë si objekt mirëmbajtjen, përdoren shpesh për të abuzuar, pasi me këto lloj tenderash është më e lehtë ‘t’ia fusësh shtetit”.

Në fakt duke parë procedurën në fjalë ka disa dyshime të rëndësishme që të bëjnë të dyshosh fort se kemi të bëjmë me një tender abuzues. Procedura e prokurimit në fjalë, mban numrin e referencës REF-63360-03-23-2023 dhe ka për objekt “Mirëmbajtje e 50 copë Live Skanera”.

Fondi limit është përcaktuar në vlerën 117,123,750 lekë të reja pa TVSH ose gati 1.4 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Por le të shohim dokumentacionin përkatës. Shikohet se në këtë tender jemi përballë një mungesë totale të konkurrencës, pasi rezulton se ka marrë pjesë vetëm një kompani.

Përkatësisht firma “R & T” në pronësi të Renis Tërshana. Në kushtet e mungesës së konkurrencës, kompania në fjalë është shpallur fituese. Vlera e ofruar është 117,120,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 1.4 miliardë lekë të vjetra përfshirë TVSH.

Kjo kompani nuk është aspak e panjohur dhe shpesh është fituese e shumë tenderave të dyshimtë. Mjafton të përmendim se vetëm në 4 vitet e fundit, kompania në fjalë ka marrë mbi 24 milion euro pagesa nga institucione të ndryshme shtetërore. Së fundmi kësaj shifre i janë shtuar dhe mbi 1 milion euro të tjera të dhëna nga Policia e Shtetit e Met Rrumbullakut.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit