Temperaturat 25 gradë, kryebashkiakja Emiriana Sako ble 400 MLN LEKË dru zjarri

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 10.04.2023, 14:28

Durrësi, si një qytet bregdetar, njihet për temperaturat e qëndrueshme dhe klimën e ngrohtë. Por, tani që po afron vera dhe në këtë qytete fillon plazhi, kryebashkiakia Emiriana Sako kujtohet të blejë dru zjarri për t’u ngrohur.

Ditën e sotme Sako tha se ka mbjellë pemë por që nuk e ka filmuar procesin.

Tenderi ka si objekt “Blerje dru zjarri e pellet për QEA” dhe fond limit rreth 400 milionë lekë. Gara për këtë prokurim është hapur me datë 8 mars dhe me 7 prill është shpallur fituesi. Në fakt cilësojmë “gara” në thonjëza pasi praktikisht nuk është zhvilluar një garë e mirëfilltë.

Në dokumente ne shohim se kanë paraqitur interes për këtë tender 4 firma. Madje njëra prej tyre, paraqiti ofertën më të lirë, me vlerë rreth 190 milionë lekë.

Por, Sako e ka skualifikuar që në fazën e parë me justifikimin se ka të punësuar mobilierë dhe jo punonjës druri edhe pse në fakt kemi të bëjmë vetëm më prerje dhe transport druri.

Kështu, mbeti e vlefshme vetëm oferta e Gjergj Buçajt, i cili garon si person fizik. Ai ka paraqitur ofertën me vlerë rreth 400 milionë lekë, afërsisht sa 100% e fondit limit. Një tjetër shkelje kjo nga ana e Sakos.

Kështu, pa garë, Sako i fali tenderin ofertës më të shtrenjtë. Për këtë tenderi ka marrë “Red Flag”, si alarm për abuzim fondesh dhe shkelje e hapur e ligjit.

Përveç faktit se ky tender është dhënë me fitues të paracaktuar dhe këto 400 milionë lekë po merren nga arka e bashkisë për të mbushur xhepat e mikut të Sakos, na bie në sy afati që ka kjo kontratë.

Sipas dokumentit fituesi duhet të furnizojë me drurë për ngrohje shkollat për 150 ditët e ardhshme, pra deri në fund të muajit gusht.

Fakt që tregon edhe njëherë se këto para do të vidhen nuk do shkojnë për dru. Sepse, jemi në stinën e pranverës dhe nuk nevojitet më ngrohja në shkolla, në një qytet të ngrohtë si Durrësi. Sidomos në qershor, korrik dhe gusht kur temperaturat shkojnë mbi 30 gradë. Së dyti, në qershor ky sezon shkollor mbyllet, kush do i përdorë drutë për 3 muajt e tjerë?

Këto pyetje SPAK duhet t’ia drejtojë Sakos, pasi edhe në dy vitet e mëparshme, ajo veproi në të njëjtën mënyrë me tenderat që kapën vlerat 430 milionë e 510 milionë lekë për secilin vit.

500 MLN Lekë për Klor

Duke qenë me “shpatulla të ngrohta” ajo ka zhvilluar një tjetër tender abuziv. Bëhet fjalë për prokurimin me numër reference REF-54758-12-22-2022 dhe objekt “Blerje kimikate”, për nevojat e Ujësjellës Kanalizime. Për të blerë klor Sako ka vendosur të shpenzojë 500 milionë lekë.

Shifër alarmante kjo! Kur në të dhënat e tenderit shohim se do të blihet 780 ton ose 780,000 Kg Hipoklorat Natriumi i lëngshëm. Kështu, sipas një llogaritje të thjeshtë i bie që për 1 kg klor Sako do të shpenzojë 64 mijë lekë.

Kur në një pikë që tregton kimikate, një kuti që mban 4 kg klor kushton 65 mijë lekë, aq sa Sako harxhon për 1 kg. Çudira të tilla mund t’i shohim vetëm nga Sako e cila nuk kursehet fare dhe i bën “rrush e kumbulla” paratë që duhej t’i investonte për të mira në komunitet.

Veprat e çuditshme të Sakos nuk mbarojnë me kaq. Ajo e ka firmosur këtë tender në kundërshti të hapur me ligjin. Në kontratë evidentohet se për këtë projekt kanë paraqitur ofertë dy firma. Operatori “Albania Distribution Chemicals SHPK” kishte ofertë me vlerë 450 milionë lekë, por është skualifikuar në fazën e parë, për shkak se nuk ka paraqitur punë të ngjashme me vlerë të afërt sa tenderi që po flasim.

Kështu mbeti e disponueshme vetëm oferta e firmës '2 AT" SHPK, në pronësi të Nuçi Shamija dhe Alketa Torit. Oferta e kësaj firme është sa 99% e fondit limit. Por edhe pse përbën shkelje të rregullave, Sako e shpalli fituese. Duke theksuar këtu se fitorja u firmos pa u zhvilluar një garë e mirëfilltë, pasi nuk kishte konkurrentë të tjerë në garë.

Do ishte një sinjal pozitiv nëse drejtësia do t’i hetonte këto tendera tani para zgjedhjeve vendore, që mos të kemi më në gara kandidatë të korruptuar dhe që kanë vjedhur ndër vite taksat tona. Në fund të fundit provat dhe faktet e korrupsionit janë të dukshme e të qarta.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit