Çudirat e Veliajt/ Jep 450 milionë lekë tender për makina me qira, do i përdorë vetëm tre vjet por do paguajë njësoj sikur t’i ketë blerë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 29.03.2023, 22:05

Tenderat abuzivë të Erion Veliajt për habi nuk hetohen asnjëherë nga SPAK. Krijohet përshtypja sikur Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka ndonjë marrëveshje të fshehtë me Veliajn për të mos ta marrë nën akuzë.

E tillë përshtypje krijohet pasi edhe pse tenderat e shumtë abuzivë të Bashkisë së Tiranës denoncohen thuajse përditë, askush nuk merr asnjë masë edhe pse abuzimi duket “sheshit”. Një tender i tillë dukshëm abuziv është edhe ky që do të gjeni në vazhdim.

Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit, strukturë e Bashkisë Tiranë ka organizuar një tender me numër reference REF-61454-03-06-2023 dhe me objekt “Marrje me qira e mjeteve të transportit”. Fondi limit është 37,499,040 lekë të reja pa TVSH ose rreth 450 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Nëse shohim dokumentacionin e tenderit shikohet se ka marrë pjesë vetëm një operator, CLASSIC në pronësi të Agron Papulit. Kjo kompani ka ofruar vlerën 37,450,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 450 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Përtej mungesës së konkurrencës shikohet se vlera e ofruar nga Papuli është thuajse identike me fondin limit të tenderit, përkatësisht sa 99.87% e tij. Por këto nuk janë shkeljet e vetme. Problemi i vërtetë fillon tani.

Nga dokumentacioni shikohet se do të merren 12 makina elektrike me qira për një periudhë prej 3 vitesh. Mesatarisht për një automjet del se për 3 vjet do të shpenzohen rreth 38 milionë lekë të vjetra me TVSH ose gati 33 mijë euro.

Duke hulumtuar çmimet e automjeteve elektrike të kompanisë së automjeteve që CLASSIC ofron dhe duke i krahasuar me specifikimet teknike, shikohet se kjo shifër prej rreth 33 mijë euro për makinë është thuajse e njëjtë me vlerën që këto automjete kanë nëse do të bliheshin nga Bashkia Tiranë.

E thënë thjesht, Veliaj do të paguajë thuajse të njëjtën vlerë sa çmimi i blerjes me ndryshimin e vetëm se do t’i marrë me qira për vetëm 3 vite. Pas kësaj periudhe do t’ia rikthejë mbrapsht kompanisë CLASSIC. Ndërkohë që nëse do t’i blinte, makinat do të qëndronin në pronësi të institucionit edhe pasi të kalonin 3 vjet.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit