Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës në çdo dalje të tij publike kujdeset që niveli i propagandës të arrijë nivelet sa më të larta.
Koha e ka treguar dhe vazhdon ta tregojë se për Veliajn, dikur edhe Ministër i Mirëqenies, shtresat vulnerabël janë pika kryesore e propagandës së tij.
Por fotot e tij me fëmijë romë, të moshuar dhe pakica shoqërore duket se janë thjesht një fasadë pasi rasti i mëposhtëm tregon qartë sjelljet e tij flagrante.
Në vitin 2019, dy prindër në Tiranë regjistruan fëmijën e tyre të diagnostikuar me çrregullim të spektrit autik, në një prej kopshteve publike të kryeqytetit. Por për shkak të problemeve të tij shëndetësore, prindërit kërkuan një edukatore shtesë në mënyrë që fëmija të mësonte njësoj si bashkëmoshatarët e tjerë.
Për realizimin e kësaj kërkese, fëmija u paraqit para Komisionit Multidisiplinar Mjekësor, i cili rekomandoi që i mituri duhet të asistohet nga një mësues shtesë të paktën pesë orë në javë.
Por pas shumë procedurash nga Drejtoria e Kopshteve dhe Çerdheve në Bashkinë e Tiranës dhe Drejtoria Vendore e Arsimit Tiranë, caktohet një mësuese shtesë për fëmijën e mitur. Ky mësues(edukator) caktohet të zhvillojë vetëm një orë mësim në javë për fëmijën e mitur.
Ky vendim i marrë nga vartësit e Veliajt nuk u pranua nga prindërit, pasi një orë në javë ishte e pamjaftueshme për zhvillimin e fëmijës së tyre. Pas këtij vendimi ata ankohen pranë Komisionerit për Diskriminim, ku kërkojnë konstatimin e diskriminimit të fëmijës së tyre.
Në prill të vitit 2020, Komisioneri konstaton se institucionet shtetërore, përfshirë drejtoritë e Bashkisë së Tiranës dhe Zyra Arsimore e kryeqytetit kanë diskriminuar fëmijën e mitur. Në vendimin e tyre ndër të tjera thuhet:
“Rekomandimi i komisionit multidisiplinar për të asistuar fëmijën me mësues ndihmës i është njoftuar Drejtorisë së Përgjithshme të Çerdheve dhe Kopshteve (DPÇK) më datë 07.01.2020. Edhe pas datës 07.01.2020 DPÇK, Bashkia Tiranë nuk rezulton që të ketë marrë asnjë masë për të zbatuar rekomandimin e komisionit multidisiplinar dhe për të siguruar mësuesin ndihmës”.
Por teksa Bashkia e Veliajt dhe Zyra Arsimore Tiranë shmangnin përgjegjësinë për marrjen e këtij vendimi, muajt kalonin dhe fëmija i mitur vijonte të mos merrte shërbimin e nevojshëm nga strukturat shtetërore.
Gjatë kësaj kohe, Komisioneri për Diskriminimin konstatoi se në vendimin e tij strukturat e Bashkisë së Tiranës nuk ishin bashkëpunuese dhe në disa raste, nuk kanë kthyer përgjigje mbi kërkesat e këtij institucioni.
Pas kësaj Komisioneri për Diskriminim e cilësoi të drejtë ankesën e prindërve dhe konstatoi se Bashkia e Tiranës dhe Zyra Arsimore e kryeqytetit kanë diskriminuar fëmijën e mitur, duke mos i siguruar mësuesin shtesë sipas rekomandimeve të Komisionit Multidisiplinar.
Por sërish edhe vendimi i Komisionerit për Diskriminim nuk u pranua dhe çështja përfundoi në Gjykatën Administrative, ku prindërit u përballën sërish me Bashkinë Tiranë. Ekspertët e thirrur në gjykatë arritën në konkluzionin:
Mungesa e mësueses ndihmëse ka sjellë që fëmija i mitur të ketë regres në zhvillimin e tij mendor. Ngjarja ka sjellë ndryshime themelore në stilin dhe cilësine e jetës së familjarëve të tij, ndikim negativ në funksionimin e jetës së përditshme, si dhe në marrëdhëniet ndërpersonale.
Në mars të vitit 2021, Gjykata Administrative e shkallës së parë konstatoi të drejtë vendimin e Komisionerit kundër Diskriminimit dhe kërkoi nga Bashkia Tiranë dhe Zyra Arsimore dëmshpërblimin me nga 500 mijë lekë (në total 1 milionë lekë të reja) për prindërit e fëmijës së mitur, për shkaktim dëmi moral dhe ekzistencial.
As kaq nuk mjaftoi për Bashkinë Tiranë e cila e ankimoi këtë vendim në gjykatën e shkallës së parë. Por sërish edhe Gjykata e Apelit Administrativ u dha të drejtë prindërve të fëmijës së mitur. Në vendimin e tyre thuhet:
Se për shkak të pakujdesisë në bashkëpunim të dy organeve, ZVA Tiranë dhe DPÇK pranë Bashkisë Tiranë, ka ndodhur shkelja e të drejtës për trajtim të barabartë në situata të ngjashme apo të njëjta dhe trajtim ndryshe në situata të ndryshme.
Ky vendim shënoi edhe fundin e betejës ligjore 4-vjeçare të dy prindërve të cilët kërkuan që edhe fëmija i tyre të edukohet si gjithë fëmijët e tjerë.