Një 41-vjeçar është gjetur i mbytur në një pus në afërsi të fshatit Fierzë në Pukë. Trupi i pajetë është i shtetasit Vladimir Kola, nga Fierza me banim në Durrës. Viktima kishte shkëputur kontaktet me familjen prej 20 janarit, pasi kishte shkuar në vendlindje për të vizituar disa familjarë.
Dyshimet e para i referohen faktit se 41-vjeçari ka qenë konsumues i pijeve alkoolike dhe nuk ishte hera e parë që largohej nga shtëpia. Nuk dihen ende shkaqet nëse Vladimir Kola ka rënë aksidentalisht në pus dhe është mbytur apo ka qenë pjesë e ndonjë konflikti dhe trupi i tij është tentuar të zhduket.
Trupi i pajetë i Kolës sapo ka mbërritur në morgun e spitalit të Pukës, ku po i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore për të zbardhur shkaqet e ngjarjes.