Ditën e djeshme në zonën e Shijakut në Durrës u zbulua një laborator droge, ku kultivohej një sasi mjaft e madhe kanabisi. Aktiviteti kryhej në një banesë me katër kate në pronësi të vëllezërve Fredi Krasniqi dhe Selman Krasniqi. Dy katet e fundit ishin përshtatur si laboratorë droge dhe ishin mbjelllë 444 bimë narkotike kanabis, që kishte çelur boçe dhe ishte thuajse gati për vjelje.
43-vjeçari, Fredi Krasniqi i cili është arrestuar, ka pranuar kultivimin e kanabisit dhe ka deklaruar se qëllimi kryesor ishte fitimi i parave pasi i duheshin për të kryer një ndërhyrje kirurgjikale. Ndërkohë që në lidhje me arsenalin e armëve ka deklaruar se ato i ka që nga viti 1997.
Por pavarësisht kësaj deklarate, policia ka dyshime se 43-vjeçari dhe vëllai i tij Selman Krasniqi i cili është shpallur në kërkim, mund ta kenë vënë vilën e tyre në dispozicion të grupeve kriminale. Pasi ka dyshime se për ndërtimin e ambienteve dhe armët për ruajtjen e kanabisit kanë financuar grupet kriminale. Nisur nga këto dyshime, armët e gjetura janë çuar për ekzaminim në policinë shkencore pasi nuk përjashtohet mundësia që të jenë përdorur në ngjarje kriminale.