Bashkia Tiranë “gostit” me 100 milionë firmën që garoi ndaj konkurrentit me ofertë zero

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 20.01.2023, 22:23

Koha e zgjedhjeve po afron me shpejtësi dhe natyrisht xhepat dhe thasët e të gjithëve duhen mbushur plot. Dhe si më mire se sa nepërmjet tenderave mund të realizohet kjo? Këtë e ilustron mjaft mirë edhe rasti që do ju paraqesim në vijim.

Bëhet fjalë për një tender të organizuar nga Bashkia Tiranë e drejtuar nga Erion Veliaj. Procedura mban numrin e referencës REF-53799-12-15-2022. Objekti i saj është “Zhvillimi i testeve për vlerësimin e sigurisë së rrjetit të sistemeve TIK dhe auditimi i proçeseve të administrimit” dhe ka si fond limit vlerën 8,750,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 105 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Por nëse studiojmë dokumentacionin e tenderit fillojnë të dalin në pah edhe çuditë. Kështu rezulton se në garë kanë marrë pjesë vetëm dy kompani. Nga këto, njëra ka ofruar vlerë zero. Kuptohet lehtësisht se një skemë e tillë aplikohet për të justifikuar se gjoja ka patur konkurrencë dhe firma në fjalë më shumë mundësi ka hyrë në garë sa për numër, pasi fituesi natyrisht kuptohet që ka qenë i paracaktuar.

Si rrjedhojë fituese është shpallur kompania tjetër e cila ka patur ofertë ekonomike në vlerën 8,268,750 lekë të reja pa TVSH ose rreth 100 milionë lekë të vjetra me TVSH. Bëhet fjalë për firmën OpenTech Consulting & Services në pronësi të shtetasit Ermal Xhaferri.

Nga ana tjetër vlera fituese e ofruar nga kjo kompani rezulton të jetë sa 94.5% e fondit limit, duke ngritur të tjera dyshime se kemi të bëjmë me një fitues të ditur që në fillim.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit