Ja si punëtori keqperdor kartelat bankare të klientëve

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 09.08.2022, 10:42

Prokuroria në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve Avdyl Selimi dhe E.B., punëtorë të kompanisë “Neptun”.

Dy të pandehurit dyshohen për keqpërdorim të kartelave bankare të klientëve të kompanisë.

Ndaj tyre, është ngritur aktakuzë për “Lëshim të çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”.

Sipas aktakuzës, Avdyl Selimi, ka keqpërdorur pozitën dhe besimin e klientëve duke iu vjedhur dhe fotografuar të dhënat e kartelave të tyre bankare, të cilat i kishin përdorur për të bërë blerje në dyqanin Neptun.

“Pastaj këto të dhëna i ka përdorur duke bërë blerje të monedhave – kriptovalutave, ku më pas i ka shitur dhe i ka shndërruar në para kesh/euro, çka të dëmtuarve iu ka shkaktuar dëm material në shumën prej 6,124.1e”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, me këtë i pandehuri në vazhdimësi e ka kryer veprën penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”.

Ndërsa, Selimi po ashtu dyshohet se në bashkëkryerje me punonjësin tjetër të Neptun, E.B., me qëllim që vetit t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, kanë keqpërdorur kartelën e bankës së një të dëmtuare, duke ia vjedhur dhe fotografuar të dhënat e kartelës bankare të cilën e kishte përdorur për të bërë blerje në dyqanin e lartcekur.

Ata dyshohet se ia vodhën mbi një mijë euro një klienteje të kompanisë Neptun.

“Me këtë të pandehurit në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”, nga neni 301, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cila iu vihen në barrë”, thuhet në kumtesë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit