Kumbaro, ministrja e turizmit që “ha bukën kot” kur “pronarët e detit” kërcënojnë pushuesit e huaj

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 21.07.2022, 18:18

Mirela Kumbaro siç dihet është aktualisht ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit. Por puna e saj në fakt nuk duket se i shërben aq shumë turizmit. Shqipëria është një vend i varfër dhe turizmi duhet të jetë një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik.

Dhe natyrisht për të zhvilluar ekonominë, duhet që fillimisht të na vijnë turistët. Por këtu lind një paradoks. Edhe kur turistët na vijnë, ne i dëbojmë nga plazhet sepse kështu i pëlqen “pronarit të plazhit”. Por cili na qenka pronari i plazhit? Në cilin vend të botës plazhi dhe deti na paskan pronar? Askund tjetër në fakt, përveçse më sa duket tek ne në Shqipëri.

Ditën e sotme ju paraqitëm një rast skandaloz ku disa vajza turiste nga Suedia u përballën me një skenë që zor se do t’u kishte shkuar ndonjë herë në mendje. Pasi hapën peshqirët e tyre ne plazh, iu afruan dy persona që u kërkuan të largohen pasi plazhi ishte pronë private që e kishin marrë 100% me qira duke i terrorizuar e duke i detyruar të largoheshin.

Ky është një skandal e turp i vërtetë i cili nuk ndoh as në vendet fqinj të rajonit e jo më në Europë. Në këto kushte nuk kuptohet se përse Kumbaro gjendet në postin e ministres së turizmit kur nuk i ka dhënë akoma zgjidhje një problemi kaq elementar si ky. Nga ana tjetër ministrja Kumbaro mburret në faqen e ministrisë se gjoja ka rritje të ndjeshme të vizitorëve të huaj. Nuk dihet se ku i sheh ministrja gjithë këta vizitorë, por edhe nëse vërtetë kanë ardhur sigurisht që do të ikin nga sytë këmbët pas këtyre absurditeteve që shohin në plazhet tona.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit