Mediat botërore shkruajnë për vizitën e Konjufcës në Hagë

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 18.06.2022, 15:01

Deklarata e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i cili ka thënë se procesi gjyqësor i ish-krerëve të UÇK-së në Hagë po merr shumë kohë, ka bërë jehonë në mediat e njohura në botë.

Për vizitën e kryeparlamentarit kosovar në Hagë, kanë raportuar prestigjozet “Associated Press”, “Washington Post” dhe “Abc News”.

Mes tjerash ato kanë cituar deklaratën e Konjufcës i cili ka thënë se procesi po merr shumë kohë dhe se Gjykata Speciale po i shkel të drejtat e ish-krerëve të UÇK-së.

“Ata kanë të drejtë që të gjykohen brenda kornizës kohore më të arsyeshme të mundshme. Këtë nuk po e shohim në Gjykatën Speciale”, ka deklaruar Kryetari i Kuvendit të Kosovës Galuk Konjufca.

Mes tjerash është potencuar se Konjufca është lideri i parë i lartë kosovar që viziton Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimi.

Një vizitë në Hagë gjatë muajit të kaluar e pati edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili u takua me ish-presidentin Hashim Thaçi.

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës kishte zhvilluar vizitë edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu por atë nuk kishin pranuar ta takojnë ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit