Ua vidhnin “tironsave” dhe i shisnin tek krutanët, arrestohen 3 “skifterat” e makinave

Shkruar nga: S Shtjefni | Publikuar më: 21.05.2022, 10:27

Policia e Tiranës ka vënën në pranga 3 persona, teksa ka shpallur në kërkim dy të tjerë. Të arrestuarit janë shtetasit E. P., 35 vjeç, E. S., 39 vjeç dhe L. T., 30 vjeç, ndërsa në kërkim shtetasit me iniciale Y. K., 54 vjeç dhe K. S., 36 vjeç, të dy banues në Tiranë. Personat në fjalë akuzohen për vjedhje automjetesh. Në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, me anë të çelësave të klonuar, hajdutët kanë bërë namin me vjedhje në zona të ndryshme të Tiranës, të cilat i kanë shitur më pas në zonën e Fushë Krujës dhe Mamurrasit.

Njoftimi i policisë:

Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2.

Vidhnin automjete duke përdorur çelësa të klonuar, vihen në pranga 3 shtetas, njëri prej tyre me masë sigurie “Arrest në shtëpi”. Shpallen në kërkim 2 bashkëpunëtorët e tyre.

Zbardhen dhe dokumentohen 3 raste të vjedhjes së automjeteve, me anë të çelësave të klonuar.

Sekuestrohen një automjet i dyshuar i vjedhur, targa të vjedhura, një armë zjarri kallashnikov, shkop gome, radio policie dhe një automjet që autorët dyshohet se e përdornin gjatë kryerjes së vjedhjeve.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Cloned key”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– E. P., 35 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim;

– E. S., 39 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”;

– L. T., 30 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.

Gjithashtu, janë shpallur në kërkim bashkëpunëtorët e tyre, shtetasit Y. K., 54 vjeç dhe K. S., 36 vjeç, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti, me anë të çelësave të klonuar, kanë vjedhur automjete, në zona të ndryshme të Tiranës, të cilat i kanë shitur më pas në zonën e Fushë Krujës dhe Mamurrasit.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të ushtruar në një subjekt në pronësi të shtetasit L. T., shërbimet e Policisë kanë gjetur targa të dyshuara të vjedhura, një shkop gome, një radio policie dhe çelësa makinash. Gjithashtu, gjatë kontrollit në një automjet të parkuar në këtë subjekt, u gjetën një armë zjarri kallashnikov, krehër dhe municion luftarak.

Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasi E. S. kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi, duke dalë jashtë banesës.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një automjet i vjedhur, targa të vjedhura, një armë zjarri kallashnikov, shkop gome, radio policie, një aparat celular dhe një automjet që autorët dyshohet se e përdornin gjatë kryerjes së vjedhjeve.

Vijon puna për kapjen e 2 bashkëpunëtorëve të shpallur në kërkim, identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, si dhe dokumentimin e rasteve të tjera të vjedhjes që mund të jenë kryer nga këta shtetas.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit