Belgjika fut në karantinë dy hipopotamë, kanë Covid

Shkruar nga: N Hoxha | Publikuar më: 06.12.2021, 01:26

Dy hipopotamë në një kopsht zoologjik në Antwerp, Belgjikë, kanë rezultuar pozitivë për Covid-19, çka besohet të jetë infeksioni i parë i tillë i raportuar për këtë specie. Hipopotamët, të quajtur Imani dhe Hermien, nuk kanë shfaqur simptoma përveç "rrjedhjes së hundëve", sipas një njoftimi nga kopshti zoologjik. Nuk dihet saktësisht se si kafshët u ekspozuan ndaj virusit, pasi kujdestarët e tyre nuk kanë shfaqur asnjë simptomë Covid-19 dhe të gjithë kanë rezultuar negative për virusin, thuhet në njoftim.

Imani, i cili është 14 vjeç dhe Hermien, i cili është 41, tani për tani po mbahen në izolim dhe nuk mund të shihen nga vizitorët. "Për dijeninë time, ky është kontaminimi i parë i njohur për këtë specie. Globalisht, ky virus është raportuar kryesisht te majmunët dhe macet"- tha veterineri i kopshtit zoologjik Francis Vercammen, i cili mbikëqyri testimin e tyre për Covid.

Në fillim të kësaj jave, Kanadaja gjithashtu konfirmoi se tre raste Covid ishin zbuluar te dreri i egër – raporti i parë i tillë në jetën e egër të vendit. Kafshët shoqëruese, veçanërisht macet dhe qentë, janë grupi kryesor i specieve të kafshëve të prekura nga koronavirusi. Ndërsa rreziku i transmetimit nga kafsha te njeriu është i ulët, njerëzit mund të përhapin koronavirusin te kafshët shtëpiake, kanë paralajmëruar zyrtarët e CDC.

Burimi: cbs46.com | Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit