Vdes miku i madh i Kosovës, senatori Bob Dole

Shkruar nga: B Hasi | Publikuar më: 05.12.2021, 18:45

Ish-senatori amerikan, Bob Dole, miku i madh i Kosovës, ka vdekur sot në mëngjes në moshën 98-vjeçare, gjatë kohës sa ishte në gjumë.

Vdekja e Dole u konfirmua nga Fondacioni Elizabeth Dole dhe familja e tij përmes një deklarate të dielën.

Dole u angazhua herët në politikën amerikane për Kosovën dhe luajti rol të rëndësishëm në procesin që çoi në krijimin e shtetit të pavarur. Për kontributin e tij, një bust i tij qëndron në kryeqytetin e Kosovës.

“Le të vazhdojmë ta nderojmë veprën e Senatorit Dole jo vetëm me këtë bust të mrekullueshëm, por duke punuar së bashku për ta ndërtuar një të ardhme paqeje, drejtësie, demokracie dhe prosperiteti për popullin e Kosovës dhe rajonit”, kishte thënë ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett në ceremoninë e zbulimit të bustit.

Ish-senatori Bob Dole shërbeu për dekada të tëra në Kongres, ishte udhëheqësi republikan i Senatit, fitoi emërimin e partisë për zgjedhjet presidenciale të vitit 1996 dhe pas humbjes në garë qëndroi aktiv në politikë për shumë vite të tjera. Dole kishte shërbyer në Luftën e Dytë Botërore ku ishte plagosur rëndë në Itali.

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit