Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media ka folur për imazhet e publikuara sot në media të kinse tankeve serbe që lëvizin drejt Jarinjës. Kurti ka thënë se jo gjithçka që shihet në imazhe është e vërtetë, dhe se ato mund të jenë të vjetra.“Nuk është gjithcka që e shihni në video e këtyre ditëve. Jo të gjitha janë lajme të vërteta aq më pak të sakta. Nuk bën të biem pre e propagandës së Serbisë. Veprimet që i ndërmarrim do të jenë në përputhje me situatën e sigurisë. Vetëm kur bëhet vlerësimi i situatës ne mund të themi se çka e kur do të bëjmë”, ka thënë ai.Tutje, Kurti ka thënë për fluturimin e avionëve dhe helikopterëve se nuk kanë pritur diçka më të mirë nga Serbia.“Mos harroni që në ditën e gjashtë të reciprocitetit, deri tash 9 mijë automjete i kanë marrë targat e përkohshme. 9 mijë automjete nuk kanë pasur problem me reciprocitetin. Por, presidenti i Serbisë nuk po e pëlqen këtë nga kolltuku i tij politik. Sigurisht që janë parë fluturaket, helikopterët. Ne nuk kemi pritur nga Serbia sjellje korrekte sepse i kemi njohur. Ne vendimet i marrim në bazë të vlerësimeve të sigurisë. Sjellja jonë është profesionale dhe korrekte”, tha ai.