Përsëri, ashtu siç do ditë, vazhdojnë të publikohen tenderat që organizohen nga institucionet shtetërore. Sigurisht një pjesë jo e vogël e tyre janë me probleme dhe të dyshimta përsë i përket shpalljes së fituesëve. Natyrisht edhe ne jemi përditë këtu për të analizuar tenderat e tillë. Në rastin konkret është përsëri Pirro Vengu i Portit Durrës i cili nuk na ka zhgënjyer as kësaj rradhe. Autoriteti Portual Durrës ka organizuar një tender të ri me objekt “Zbatimi i projektit – Asfaltimi i rrugës nga Porta 2 te Terminali i Trageteve”.
Fondi limit i kësaj procedure prokurimi rezulton të jetë 16,280,000 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 200 milionë lekë të vjetra me TVSH. Për habi, fitues i këtij tenderi është shpallur një firmë që ka ofruar gati 80 milionë lekë të vjetra me TVSH më shumë se të tjerët. Duke studiuar dokumentacionin e kësaj procedure vihet re se kanë marrë pjesë 6 operatorë. Të gjithë pjesëmarrësit kanë ofruar vlera, pra asnjëri prej tyre nuk ka ofruar vlerë zero.
Megjithatë siç përmendëm më sipër, është mjaft i dyshimtë fakti që është skualifikuar pjesëmarrësi që ka ofruar vlerën më të ulët nga të gjithë. Por cili është shpallur fitues? Bëhet fjalë për firmën A.L-ASFALT në pronësi të Astrit Varaku dhe Luan Mema, e cila ka fituar me vlerën 16.145.700 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 194 milionë lekë të vjetra me TVSH. Përtej diferencës së madhe prej gati 80 milionë lekësh të vjetra me TVSH kundrejt njërit prej garuesëve, shikohet se vlera fituese është pothuajse identike me fondi limit. Të dyja këto gjetje, sugjerojnë për një tender të dyshimtë dhe ku fituesi mund të ketë qenë i paracaktuar.