JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Bashkia Tiranë jep 600 milionë lekë për pastrim, në tenderin që ndejti hapur vetëm 22 orë
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 26/06/2021 22:09

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Tenderat në Shqipëri janë tepër të çuditshëm. Jo vetëm kaq, por thuajse në të gjitha rastet vështirë të mos gjesh ndonjë parregullsi. Ka ndërmjet tyre edhe tendera mjaft të dyshimtë si ky i Bashkisë Tiranë që do t’ju paraqesim në vijim. Rezulton se kjo bashki i ka dhënë një firme rreth 600 milionë lekë të vjetra me TVSH për pastrimin e një pjese të Tiranës, në një tender që ka qëndruar i hapur për vetëm 22 orë.

Bëhet fjalë për procedurën e prokurimit me numër reference REF-98634-06-21-2021 dhe me objekt “Shërbimi i Pastrimit të Zonës Tirana II”. Nga dokumentacioni i tenderit vihet re se data e hapjes ka qenë 21-06-2021, ora 14:00, ndërsa data e mbylljes 22-06-2021 ora 12:00. Pra qartësisht shikohet se Bashkisë Tiranë i janë nevojitur më pak se 24 orë për të shpallur fituesin e këtij tenderi.

Vihet re se në garë kanë marrë pjesë vetëm dy kompani garuese. Përtej kufizimit të konkurrencës, pasi kemi të bëjmë vetëm me dy garues, është tepër e çuditshme se si tenderi ka qëndruar i hapur për vetëm 22 orë. Jo vetëm kaq, por nëse shikohen vlerat e ofruara nga të dyja këto kompani garuese, vihet re se vlerat e ofruara të tyre janë thuajse identike. Një fakt ky tepër i dyshimtë.

Fituese është shpallur firma “Korsel” në pronësi të shtetasit Maksim Fejzulla. Përvecse sa më sipër, shikohet gjithashtu se vlera fituese është tepër e afërt me vlerën e fondit limit, përkatësisht sa 99.52% e tij. Edhe ky është një tjetër fakt i cili ngre dyshime në lidhje me këtë tender të Bashkisë Tiranë duke sugjeruar se fituesi mund të ketë qenë i paracaktuar.