Mirlinda Karçanaj është një emër mjaft i lakuar prej kohësh. Jo për shkak të aftësisë së saj në punë, sesa për lidhjet e saj me një numër mjaft të konsiderueshëm tenderash të dyshimtë. Flasim këtu për dhejtra e dhjetra procedura prokurimesh që Mirlinda Karçanaj i ka realizuar në mënyrë të dyshimtë nëpërmjet institucionit që ajo drejton, AKSHI.
Bëhet fjalë për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit krijuar sipas “Vendimit nr. 673, datë 22.11. Zyrtarisht objektivi kryesor i AKSHI-t është të realizojë zbatimin e politikave e të strategjive, për zhvillimin e sektorit të shoqërisë së informacionit (SHI) dhe në veçanti të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK). Mirëpo duket se në realitet objketivi kryesor është vetëm shpërndarja e parave të shtetit në xhepat e oligarkëve.
Madje së fundmi rezulton se krahas oligarkëve, paratë e shtetit po transferohen direkt e në xhepat e partisë në pushtet. Dhe e gjitha kjo në sajë të drejtoreshë Mirlindës. Themi kështu, pasi rezulton se AKSHI i ka dhënë plot 2 miliardë lekë të vjetra kompanisë “Intech +”, pas së cilës ka dyshime tepër të forta se fshihet vetë Ilir Beqaj, drejtuesi aktual i fushatës së Partisë Socialiste në Shkodër. Siç kemi përmendur dhe më parë, INTECH+ deri në datë 09.09.2013 kishte si ortak mazhoritar Ilir Beqaj me 51% të aksioneve në pronësi dhe pas kësaj date ai ia kaloi këto kuota ortakut tjetër minoritar të shoqërisë dhe mikut të tij Sokol Sinani, pas ardhjes në pushtet të PS.
Sot e kësaj dite Sokol Sinani është administrator dhe ortak i vetëm. Ilir Beqaj është pikërisht personazhi i cili gjatë kohës së pandemisë kërkoi që të uleshin rrogat e pensionet e shqiptarëve, ndërsa për vete rezulton të ketë marrë mbi 7 milion euro tendera, vetëm gjatë 8 viteve të fundit. E megjithatë, sapo përfitoi edhe 2 miliardë lekë të tjera. Kompania INTECH+ është shpallur fituese bashkë me Infosoft Systems të Grigor Jotit, edhe ky i fundit një “klient” i vjetër i tenderave të Mirlindës.
Më konkretisht bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-86576-02-10-2021 dhe me objekt “Marrëveshje shërbimi për sistemet informatike të DMAIS për Menaxhimin dhe Arkivimin e Dokumentave, PCAMS... -për Institutin e Sigurimeve Shoqërore”. INTECH+ dhe Infosoft Systems janë shpallur fitues për vlerën 167,796,000 lekë të reja pa TVSH (ose rreth 2 miliardë lekë të vjetra me TVSH), vlerë kjo thuajse identike me fondin limit të tenderit. Për ta përmbledhur, e thënë, shkurt, shqip dhe shkoqur: Mirlinda Karçanaj ka marrë 2 miliardë lekë të vjetra me TVSH nga shteti shqiptar dhe i ka future direkt e në “xhepat” e partisë. E ku ka më bukur miq?