Busti i Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu në Korçë, është përdhosur me një mbishkrim në bazamentin mbajtës. Persona të paidentifikuar kanë shkruar me spraj dhe gabime drejtshkrimore në bazament “Stop diktaturës masonike”. Ndërkohë, autoritetet nuk kanë mundur ende të pikasin autorët e këtij mbishkrimi. Në 553 vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu, qytetarët siç duket kanë menduar se gjëja më e duhur për t'u bërë, do të ishte “shëmtimi” i bustit të heroit. Kujtojmë se busti i Skënderbeut në Korçë është i vendosur në sheshin përpara stadiumit dhe është realizuar nga skulptori i njohur Piro Dollaku, i cili ka realizuar edhe monumentin e dëshmorëve në këtë qytet.