JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Mirlinda e AKSHIT “ia luan” syrin baxhanakut të Ramës, tender 230 milionë për dhomën e Ergys Verdhos
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 25/12/2020 23:05

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Mirlinda Karçanaj vazhdon të shpërndajë para si një bankomat qeverie. Madje shpesh të jep përshtypjen se është si ata personat që shkojnë në dasëm dhe hedhin para në tokë me grushte, duke i fërkuar fillimisht në pëllëmbën e dorës e më pas duke i hedhur në tokë me dorën tjetër. Këto para fare mirë mund të përdoreshin për përmirësimin e shëndetësisë apo për t’u ardhur në ndihmë shtresave më të varfëra.

Por me sa duket Mirlinda nuk mendon kështu, dhe shkon dhe i jep 230 miionë lekë të vjetra me TVSH atij që në shumë artikuj cilësohet si baxhanaku i Edi Ramës. E kemi fjalën për tenderin me numër reference REF-76812-10-27-2020 që ka për objekt “Përmirësimi i dhomës së serverave të ARRSH-për Autoritetin Rrugor Shqiptar”.

Pra me sa kuptohet, Ergys Verdho ka nevojë për disa miliona që të përmirësojë dhomën e tij të serverave. E shpjeguar thjesht, kjo dhomë shërben si një vend i posaçëm ku janë vendosur serverat e ARRSH-së dhe ku hostohen aktualisht 3 sisteme të këtij institucioni. Mirëpo rezulton se kjo dhomë serverësh është ndërtuar vetëm 2 vjet më parë, pra në vitin 2018.

Ky fakt shton së tepërmi dyshimet se në fakt ky tender është thjesht një qokë për fituesin. Ky i fundit është kompania Advanced Business Solutions – ABS, e cila “me letra” ka për pronar shtetasin Gerond Meçe. Gerondi njihet si miku i ngushtë i Armand Frangut, i cili sipas artikujve të shumtë në media thuhet se është edhe baxhanaku i kryeministrit Edi Rama.

Edhe pse në Qendrën Kombëtare të Biznesit, Frangu nuk figuron si bashkëpronar apo bashkë-aksioner, ajo çfarë e bën interesante faktin është se në një sajt izraelit ku gjenden kompanitë që kanë të bëjnë me teknologjinë, kjo kompani konfiguron me dy bashkëpronar që janë Armand Frangu dhe Gerond Meçe. Pra, e thënë shqip, drejtoresha e Rilindjes, i jep 230 milionë tender baxhanakut të “shefit” të madh.

Pa përmendur këtu faktin që njëra nga kompanitë pjesëmarrëse në tender ka ofruar rreth 73 milionë lekë të vjetra me TVSH më pak. Gjithashtu rezulton se kompania fituese ka përfituar pagesa nga institucionet shtetërore gjatë 7 viteve të fundit, një vlerë marramendase prej rreth 14 milion euro.