Në një akt të paprecedent të ndodhur vetëm pak ditë më parë, të gjithë ne u bëmë dëshmitarë se si kolapsoi sistemi shëndetësor në Shqipëri. Një qytetar i gjorë nga Ndroqi humbi jetën për shkak se u sorollat nga një spital në tjetrin në Tiranë. Kjo ngjarje e rëndë na risolli edhe njëherë nëpër mend se siguria shëndetësore në Shqipëri është "ku të thërret qameti". Gjithshtu kjo ndodhi fatale nxori në pah përsëri paaftësinë tepër të madhe të menaxhimit nga ana e ministres së shëndetësisë, Ogerta Manasitrliu.
Të gjithë jemi në dijeni se sistemi shëndetësor në vend është jashtë çdo standardi minimal në Ballkan, pa përmendur Europën. Mjafton të përmendim faktin se qoftë edhe për një bërje gjilpëre nga infermierja më e rëndomtë e spitalit, duhet të “kollitesh” e të japësh para, imagjinoni më tej rastet e tjera. Por që të arrihej deri aty sa një qytetar të humbasë jetën sepse u sorollat nga njëri spital në tjetrin, tregon se vërtet kemi prekur fundin.
E pra në vend që Ogerta Manastirliu të përfundonte me hekura në duar pas këtij akti skandaloz, "Zonjës Vdekje" jo vetëm që nuk i hyri gjemb në këmbë por vazhdon të japë tendera në nivele prej qindra milionë lekësh ndaj oligarkëve dhe miqve të Rilindjes. Më konkretisht bëhet fjalë për një tender me numër reference REF-67482-07-31-2020 dhe me objekt “Rikonstruksion i godinave te Maternitetit Mbreteresha Geraldine dhe ndertim i ri 3 kat Tirane”. Këtë tender rezulton se e ka fituar njëri prej “miqve” më të preferuar të Rilindjes e në veçanti të Erion Veliaj-t, Gentjan Sula i AGI KONS.
Ndonëse “me letra” pronar rezulton vëllai i tij Elvis Sula, “de facto” pronar i vërtetë sipas raportimeve në media, është pikërisht Gentjani. Ky i fundit bashkë me kompaninë e tij njihet si personi i cili ka ndërtuar edhe rezidencën “Kodra e Diellit” aty ku banon edhe vetë lali Zdromsi. Por jo vetëm kaq, emri i AGI KONS u lakua së tepërmi edhe për rastin e rikonstruksionit të Parkut “Rinia” në Tiranë për të cilin u harxhuan rreth një miliardë lekë të vjetra. Paradoksi qëndronte se vetëm pak ditë pas inaugurimit, me vetëm pak minuta shi, Parku “Rinia” u përmbyt i gjithi dhe fotot e tij bënë xhiron e rrjetit.
Deri më sot rezulton se kjo kompani ka përfituar nga institucionet shtetërore tendera në një vlerë marramendëse prej rreth 17 milionë eurosh në 7 vitet e fundit. Por pikërisht këtyre milionave, Ogerta Manastirliu ka vendosur t’i shtojë edhe rreth 600 milionë lekë të vjetra të tjera për rikonstruksion në Maternitetin Mbretëresha Geraldinë. Është tërësisht e pakonceptueshme se si Ogerta Manastirliu i lejon vetes të paguajë AGI KONS me gati 600 milionë lekë të vjetra për tulla e llaç dhe nga ana tjetër lë shqiptarët e gjorë të vdesin në shkallët e spitaleve për shkak të sorollatjes.