JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Nuk ndalet Shpresa Joanidhi, e arrestuara për mashtrim “kullufit” milionat njëri pas tjetrit
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 14/10/2020 22:23

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Shpesh herë ju kemi përmendur se si një personazh thuajse i panjohur, ka fituar përgjatë viteve tendera në vlera të frikshme. Bëhet fjalë për Shpresa Joanidhi, ish-administratore dhe ish-pronare e kompanisë “SHPRESA” SHPK. Kjo kompani përgjatë 6 viteve të fundit rezulton se ka marrë tendera në një vlerë rreth 25 milionë euro.

Por pas një incidenti që i ndodhi në shtator të vitit 2019, emri i kompanisë ndryshoi në “DION-AL” SHPK. Por cili ishte incidenti? Shpresa Joanidhi u arrestua bashkë me disa biznesmenë të tjerë për mashtrim ndaj shtetit në lidhje me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Ajo dhe biznesmenët e tjerë u akuzuan në atë kohë nga prokuroria si shkaktarë të një dëmi prej miliona eurosh ndaj shtetit.

E pikërsisht për këtë arsye ka shumë mundësi që Shpresa të ketë ndërruar edhe emrin e kompanisë së saj në mënyrë që të vazhdonte të përfitonte përsëri tendera publikë. E në fakt pikërisht ashtu ka ndodhur. Aktualisht kompania “DION-AL” ka për pronarë familjarët e afërt të Shpresa Joanidhit, përfshirë këtu edhe bashkëshortin e saj.

Por cili është tenderi i rradhës që i ka shtuar milionat në xhepat e kompanisë së Shpresës? Bëhet fjalë për një procedurë me negociim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës. Kjo do të thotë se nuk është bërë fare garë por i është dhënë direkt tenderi kompanisë “DION-AL” SHPK. Objekti i këtij tenderi është “Rikonstruksion i Godines se Pediatrise per Spitalin Rajonal Durres Shtese Kontrate ”.

Pra siç shikohet, Shpresa Joanidhi ka marrë një shtesë kontrate me vlerë 27.758.465 lekë të reja pa TVSH ose rreth 333 milionë lekë të vjetra me TVSH. Në mënyrë paradoksale fondi limit i kësaj kontrate ka qenë 27.858.127 lekë të reja pa TVSH. Kjo do të thotë që firma e Shpresa Joanidhit ka fituar me një vlerë sa 99,64% e fondit limit.

Të gjitha indiciet e mësipërme të shtyjnë të dyshosh se gjithçka është paramenduar me kohë dhe se Shpresa do të fusë në xhepat e saj të tjera miliona nga buxheti i shtetit. Nuk dihet në fakt se cili mund të fshihet pas saj, por ka dyshime të forta se bëhet fjalë për njërin nga “peshkaqenët” e mëdhenj të tenderave.