JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Dashuria e Laert Duraj me “ELEKTROSEK”, Posta Shqiptare “i dhuron” 500 milionë të tjera
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 10/10/2020 21:36

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Laert Duraj është administratori i Postës Shqiptare. Shumë herë emri i tij është përmendur për shkak të shumë tenderave të dyshimtë që institucioni i tij ka realizuar. Njëri prej tyre është edhe ai me objekt “Shërbimi i mirëmbajtjes së sistemeve të alarmit e të vëzhgimit, marrjes në rrugë valore të sinjaleve të alarmit, verifikimit dhe reagimi me grup të gatshëm në të gjitha Filialet e Degët dhe shërbimin me GPS/GPRS për automjetet e Postës Shqiptare”.

Ky tender u përfol shumë vitin e kaluar për shkak se kishte dyshime të forta se fituesi i atij viti, kompania “ELEKTROSEK” në pronesi të Ilir Mane, ishte e paracaktuar si fituese nga ana e Laert Duraj. Por me sa duket historia përsëritet përsëri edhe këtë vit. I njëjti tender, më të njëjtin objekt, organizohet nga Posta Shqiptare dhe Laert Duraj edhe këtë vit.

Tenderi në fjalë mban numrin e references REF-64548-07-07-2020 dhe është hapur më datë 08-07-2020 ora : 10:00 dhe mbyllur në datë 17-09-2020 ora : 11:00. Çuditërisht në këtë tender nuk ka marrë pjesë asnjë kompani tjetër veç asaj fituese. Fituesi në fakt, për të humbur gjurmët, është paraqitur si bashkim operatorësh, ku bashkë me “ELEKTROSEK” figurojnë si fitues edhe kompanitë “Eurogjici – Security” sh.p.k. & ”Arb Security” sh.p.k. & ”S.A.S” sh.p.k. & ”Trezhnjeva” sh.p.k. & ”Taulanti” sh.p.k.

Por cilët janë pronarët e këtyre kompanive të tjera? “Eurogjici – Security” ka për pronar Lavdrim Gjici, vëllai i Safet Gjici, aktualisht kryetar i Bashkisë Kukës, ndërsa ”Arb Security” është në pronësi të shtetasit Arben Prrenjasi. Dy firmat e tjera bashkëfituese ”Trezhnjeva” dhe ”Taulanti” kanë për pronarë përkatësisht shtetasit Adem Trezhnjeva dhe Vasilika Kotroçi.

Dhe ëmbëlsira për në fund, kompania tjetër ”S.A.S” ka për pronar shtetasin Albi Mane, i cili sipas raportimeve në media rezulton të jetë djali i pronarit të “ELEKTROSEK”, Ilir Mane. Pra siç shikohet qartë fituesi i vërtetë është vetë “ELEKTROSEK” dhe familja Mane.

Por le të dalim tek një fakt tjetër i cili përforëcon dyshimet se fituesi është i paracaktuar. Një nga raportet më të pagabueshme është edhe përqindja që zë vlera e ofruar nga fituesi ndaj fondit limit. Konkretisht “ELEKTROSEK” me shokë ka ofruar vlerën 41,280,780 lekë të reja pa TVSH ose rreth 500 milionë lekë të vjetra me TVSH. Ndërkohë vlera e fondit limit ka qenë 41,388,900 lekë të reja pa TVSH, ose vetëm 1 milionë lekë të vjetra pa TVSH më shumë se vlera e ofruar.

E thënë më thjesht, fituesi ka fituar duke ofruar një vlerë të barabartë me 99,74% të fondit limit. Ky fakt tregon se gjasat janë shumë të mëdha që fituesi të ketë qenë i paracaktuar dhe se një tufë me miliona kanë përfunduar edhe në xhepat e tepelenasit Laert Duraj. Në një kohë kur asnjë institucion nuk heton apo merr masa, nuk na mbetet gjë tjetër veçse t’i themi Laertit: “Gjak e dhjamë plako”!