JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Shpresa Joanidhi e arrestuar për mashtrim, “gatuan çorbën” e 1,2 miliardë lekëve
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 02/10/2020 22:16

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Shpresa Joanidhi është një personazh interesant që për çudi ka “kullufitur” miliarda “pa hesap”. Është mjaft paradoksal fakti se si një personazh thuajse i panjohur, dhe për më tepër i arrestuar për mashtrim me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, të ketë fituar miliarda lekë tendera nga pushteti i Rilindjes.

Kompania e saj, “DION-AL” SHPK, është në fakt ish kompania “Shpresa” SHPK pronarja e së cilës Shpresa Joanidhi u arrestua bashkë me shumë biznesmenë të tjerë në shtator të vitit 2019 për krijim skemash mashtrimi me TVSH-në dhe u akuzuan nga prokuroria se i kishin shkaktuar shtetit një dëm prej miliona eurosh. Rezulton se Shpresa Joanidhi me kompaninë e saj “DION-AL” SHPK (dikur “SHPRESA” SHPK), ka fituar në gjashtë vitet e fundit rreth 25 milionë euro tendera.

Një shifër mjaft e habitshme kjo për një personazh thuajse anonim. Ka dyshime të forta se pas saj mund të fshihet në të vërtetë dikush nga “peshkaqenët” e Rilindjes. Duke qenë se Shpresa "gatuan çorba" miliardash, Agjencia e Blerjeve të Përqëndruara nuk ka nguruar t’i japë asaj miliardat e rradhës. Konkretisht bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-58421-05-18-2020 dhe me objekt "Shërbim gatimi dhe shpërndarje ushqimi, për Repartin Ushtarak nr. 1030 (Forcat Tokësore)", me fond të marrëveshjes kuadër: 103,109,842 lekë të reja pa TVSH.

Shpresa në fakt ka ofruar në tender një vlerë të barabartë me 99,78% të këtij fondi limit, ose e shprehur në shifra, 102,885,200 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 1,2 miliardë lekë të vjetra me TVSH. Ky është një raport që tregon se ka dyshime të forta se tenderi është i manipuluar dhe se fituesi ka qenë i paracaktuar me kohë.

Gjithashtu, shikohet se në të ashtuquajturën garë, kanë marrë pjesë 3 kompani, nga të cilat njëra ka ofruar vlerë zero, ndërsa tjetra ka ofruar një vlerë të barabartë me 84,589,400 lekë të reja pa TVSH ose rreth 219 milionë lekë të vjetra me TVSH më pak sesa kompania e Shpresa Joanidhit, “DION-AL” SHPK. Për habi kjo kompani që ka ofruar mbi 200 milionë lekë të vjetra më pak, është eliminuar për arsyen tashmë “klishe” se nuk plotësontë dokumentacionin. Epo, bravo Shpresa, me siguri “çorba” prej 1,2 miliardë lekësh do të të shijojë në maksimum. Të bëftë mirë!